Presidenti i SHBA-se, Joe Biden ka planifikuar të takohet me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu në Uashington në vjeshte, tha Shtëpia e Bardhë.
“Do të ketë një takim këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vjeshtë”, tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, pas një telefonate midis Biden dhe Netanyahu.
Kirby tha se Biden ka shprehur shqetësime lidhur me protestat masive në rrugë dhe grevave, të nxitura nga plani i reformës gjyqësore të Netanyahu, dhe sjelljen “ekstremiste” të disa anëtarëve të kabinetit të kryeministrit izraelit,
“Këto shqetësime janë ende të vlefshme. Ato janë shqetësuese”, tha Kirby.
Biseda telefonike mes Netanyahu dhe Biden u zhvillua në prag të takimit të presidentit amerikan me homologun e tij izraelit, Isaac Herzog sot në Shtëpinë e Bardhë.
Fakti që Biden do të takohej me Herzog përpara Netanyahu solli në qendër të vëmendjes marrëdhëniet e tensionuara mes Bidenit dhe Netanyahu.
Netanyahu ka qënë në pritje të një ftese nga Biden në Shtëpinë e Bardhë që nga kthimi i tij në detyrë në fund të vitit 2022.
Mospërfillja e Biden u pa si një shenjë e pakënaqësisë së tij me politikat e qeverisë së djathtë dhe konservatore të Netanyahut.


