Kreu i Grupit të Rithemelimit, Sali Berisha, në një deklaratë për mediat, akuzoi të hënën kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, se “ka ndërmarrë një akt tjetër anti ligjor për të vjedhur edhe 19.6 milionë të tjera”.
Berisha, deklaroi sot se, “i amnistuari, Erion Veliaj, pasi ka zëvendësuar praktikën e trajtimit të mbetjeve të Tiranës me landfill, seleksionim, riciklim, me praktikën e koncensionit e djegieve të tyre”, tha Berisha.
“I amnistuari i SKAP-it të partisë, Erion Veliaj në kundërshtim me çdo ligj ka vendosur të ndërhyjë në kontratë, gjë e cila është tagër vetëm e autoritetit kontraktues, dhe i askujt tjetër, e qeverisë pra, dhe jo e bashkisë. Në një mbledhje të Këshillit Bashkiak, ky hajdut delinkuent, që nuk ka kufij në vjedhjet e tij, vendos që sasinë tavan ndën të cilën taksapaguesit do të paguanin çdo qindarkë ndërrmarrjes së Erion Veliajt ta rrisë nga 700 ton në 800 ton”, u shpreh Berisha.
“Për ta patur të qartë ata që na ndjekin. Në rast se në një vit të dhënë, mbetjet e Tiranës që depozitoheshin gjatë atij viti ishin 550 mijë ton, apo 600 mijë ton, atëherë qeveria duhet të financonte konçensionarin edhe për 100 tonët që mungonin në ditë, kjo nuk i mjaftonte Erion Veliajt”, tha Berisha.
“Ky mbledh Këshillin Bashkiak dhe vendos në mënyrë absolutisht antiligjore, vetëm për të vjedhur, që ky tavan mos të jetë 700 por të jetë 800, duke dëmtuar çdo ditë. Shuma e dëmit ditor për 30 vite shkon në 19.6 euro. Kështu që krimi është i shëmtuar, ky është një hajdut i shpërfytyruar. Është në turpin ekstrem të atyre që guxuan të amnistojnë një hajdut të tillë”, tha Berisha.
“Mirëpo, kjo lëvizje nga 700 në 800 ton, kjo do të thotë një faturë jo më 450 milionë euro, vetëm me mbetjet e bashkisë kjo shkon në 470 milionë euro. Të marrin parasysh pastaj mbetjet e biznesit. Pra, në këtë mënyrë fitimi i Erion Veliajt dhe klanit të plehrave të djegësit Veliaj kalon edhe mbi 1 miliardë në 30 vite. SPAK-i i partisë e ka amnistuar Erion Veliajn, qytetarët e Tiranës nuk do ta amnistojnë atë. Qytetarët e Tiranës do ta kapin prej zverku, dhe do ta çojnë aty ku e ka vendin, aty ku e meriton vendin”, përfundoi Berisha.


