Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca u shpreh sot, gjatë diskutimeve në seancën dëgjimore për projektligjin “Për barazinë gjinore”, se ky ligj garanton të drejtat e të gjitha palëve në shoqërinë shqiptare.
Gjatë diskutimeve në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, Ballanca tha se ky projektligj në formën e ardhur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale nuk ndryshon as edhe një çështje që lidhet me bindjen e atyre që duan të vazhdojnë të kenë mënyrën e tyre tradicionale të të qenit.
“Unë besoja që grupet fetare mbas politikave të reja të Vatikanit, do të ishin pak më të hapur edhe ndaj personave që janë ndryshe prej tyre. Ne jemi përfshirë në fazën e diskutimit publik që ka pasur ligji, dhe besojmë se ligji në përmbajtjen e tij i garanton të drejtat e të gjitha palëve, nuk lë jashtë grupe të caktuara”, tha Ballanca.
Ballanca nënvizoi se asnjëri nuk ka pse të frikësohet nga fakti se pse pranohen njerëz që ndihen tërësisht të margjinalizuar.
“Forca jonë është pikërisht kjo, që t’i pranojmë njerëzit që janë ashtu. Po i mbajtëm të përjashtuar nuk përmirësojmë asgjë, vetëm rrisim inatin e problematikat që ata mund të kenë brenda vetes. Ne kemi për detyrë që këtë ligj ta miratojmë në tërësi në formën siç ka ardhur nga Këshilli i Ministrave. Ky ligj është një hap përpara në garantimin e shumë çështjeve që lidhen me barazinë gjinore thelbësore”, tha ajo.
“Ky është një ligj që përcakton trendin, objektivat sociale, siç janë edhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, me përjashtim të ligjeve për diskriminimin. Janë të drejta dhe detyrime që shteti ynë i ka marrë për shkak të aderimit në konventat ndërkombëtare”, vijoi Ballanca.
Avokatja e Popullit theksoi se ky ligj nuk sjellë ndryshime negative në atë që është shoqëria shqiptare sot, dhe nuk sjellë gjini të reja. Sipas saj, shpeshherë keqinterpretimi i një termi e nxjerr ligjin nga konteksti.
“Një tjetër diskutim është ndërhyrja apo standardi i ri që ky ligj po përcakton dhe në jetën publike dhe private, shoqëri tregtare dhe institucionet e treta. Dhe kjo është një çështje që do të fillojë të jetë pjesë e agjendave tona. Garancitë që duhet t’u jepen zonjave për të qenë të përfaqësuara nuk duhet t’i takojnë vetëm sektorit publik, por edhe atij privat”, tha Ballanca, teksa nënvizoi se debati për këtë projektligj nuk duhet të frikësojë askënd.
“Një shtet e arrin lartësinë për garantimin e të drejtave të njeriut nëse i jep edhe pakicave të drejta që atyre u takojnë t’i kenë, pavarësisht se opinioni i tyre nuk do ketë kurrë votën për të bërë shumicë”, cilësoi Ballanca.
Deputetja e Partisë Demokratike, Greta Bardeli iu drejtua Avokates së Popullit se si e përcakton termin “përkatësi e shumëfishtë apo gjinore”.
Në përgjigjen e saj, Ballanca tha se përcaktimi është dhënë në nenin 4.
“Nuk ka krijim të një gjinie të re, por ka një përcaktim të asaj që është përkatësia gjinore e gjithësecilit. Nuk ka arsye pse të ketë shqetësim kaq të shtuar në lidhje me këto lloj identifikimesh”, pohoi Ballanca.
Gjatë seancës dëgjimore, diskutime pati edhe nga Aleanca Gjinore për Zhvillim, me përfaqësuese, Mirela Arqimadriti; nga Rrjeti për Zhvillimin e Gruas në Shqipëri, me përfaqësuese Delina Ficon dhe nga përfaqësuesja e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Adriana Hala.


