Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se pensionistët përveçse do të marrin këtë dhjetor bonusin e fundvitit, duke filluar nga janari 2026 do të kenë një rritje pensioni të shtrirë muaj për muaj, përmbi indeksimin e përvitshëm.
Në një videomesazh nga selia e Partisë Socialiste, Rama informoi se mbrëmjen e djeshme i është përcjellë parlamentit projektbuxheti i vitit 2026.
“Jam realisht i lumtur sot t’u them pensionistëve që ashtu siç u zotuam në zgjedhje ky mandat do të jetë mandati i rritjes së përvitshme të pensioneve”, tha Rama.
Sipas tij, “kjo është pjesa më e vështirë e politikës financiare të një vendi, pensionet”.
“Por më në fund pikërisht sepse nuk jemi më ai vendi që mezi mbahemi në këmbë, por jemi një vend me ekonomi të qëndrueshme që rritet çdo vit mund ta bëjmë atë për të cilën u zotuam të arrijmë vit pas viti, të rrisim pensionet sipas objektivave të shpallura për secilën kategori”, tha Rama.
Konkretisht sipas kategorive, Rama bëri të ditur se në fund të mandatit duhet të arrijmë që pensioni mesatar të rritet sipas kategorive.
“Pensioni urban me vite të plota pune të shkojë 40 mijë lekë të reja nga 27 350 që është sot; pensioni urban i pjesshëm të shkojë mesatarisht 22 mijë lekë të reja nga 15 850 lekë që është sot; pensioni rural të shkojë 18 mijë lekë të reja nga 11 500 që është sot; pensioni familjar të shkojë 18 mijë lekë të reja nga 11 400 që është sot dhe pensioni i invaliditetit të shkojë 30 mijë lekë të reja nga 20 mijë që është sot”, njoftoi Rama.
Ndaj, Rama tha se nga janari i vitit të ri 2026 pensionet do të rriten çdo muaj, përtej indeksimit vjetor që do të jetë tjetër gjë.
“Pensioni urban me vite të plota pune do të rritet 1800 lekë; pensioni urban i pjesshëm do të rritet 800 lekë; pensioni rural do të rritet 1 mijë lekë; pensioni familjar do të rritet 700 lekë; pensioni i invaliditetit do të rritet 600 lekë”, tha Rama.
Në vitet në vijim, Kryeministrit theksoi se “të njëjtat shifra do të dyfishohen për secilën kategori në vitin 2027, do të trefishohen në vitin 2028, do të katërfishohen në vitin 2029, për të arritur vlerën e premtuar në qershor të këtij viti kur shqiptarët na dhanë plot 83 mandate”.
“Ky jam unë, këta jemi ne. Them dhe themi atë që bëjmë dhe bëjmë gjithnjë atë që themi”, tha Rama.


