Kuvendi rrëzoi kërkesën për mocion me debat për çështjen e Spitalit Onkologjik e depozituar nga opozita, në seancën e sotme, me shumicën e votave të mazhorancës.
Deputeti i PD-së, Bardh Spahia parashtroi argumentet që sipas tij kërkojnë përgjigje nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Evisa Sala pasi gjendja në spitalin Onkologjik po degradon nga dita në ditë.
“Ju keni përgjegjësinë për të garantuar shëndet cilësor për çdo qytetar. Situata në Onkologjik është në kolaps përkundrejt shërbimit në Onkologjik në QSUNT, dhe mijëra pacientëve që dergjen aty. Aty mungojnë barnat bazë, ato terapeutike, pajisjet për diagnozat e ndryshme etj. 46% e barnave tumorale nuk janë importuar kurrë dhe kjo është kriminale”, tha Spahia.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala iu përgjigj deputetit Spahia, ndërsa tha se tashmë është rialokuar një fond prej 200 milionë lekësh për të adresuar zgjidhjen e nevojave urgjente për barnat në spitalin Onkologjik në QSUNT.
Ministrja Sala kërkoi që të mos përfshihet në debatin e procedurës në Parlament, për të mos bërë politikë me dhimbjen e njerëzve.
“Pak javë më parë kam pranuar një sfidë të madhe që nuk është vetëm e Qeverisë dhe imja si ministre, por është sfida ime personale si mjeke. E kam filluar karrierën pikërisht në spitalin Onkologjik, ku këto ditë kam prekur çdo skutë, kam takuar pacientët, ndërsa është rialokuar një fond prej 200 milionë lekësh për të adresuar zgjidhjen e nevojave urgjente me barnat e onkologjikut”, tha Sala.
Sipas Salës, me propozim e MSHMS në projektbuxhetin 2026 që pritet të kalojë në Kuvend pas pak ditësh, vetëm për barnat onkologjike është akorduar buxhet i dedikuar prej 1 miliard lekësh.
“Kjo është një risi. Problemet nuk zgjidhjen me retorikë politike apo duke luajtur me dhimbjet e pacientëve. Zgjidhen me punë dhe bashkëpunim. Angazhimi im kam qenë i qartë, çdo pacient që ka sëmundje onkologjike do trajtohet me protokollet bashkëkohore. Ky proces ka nisur dhe nuk ka kthim mbrapa”, përfundoi Sala.


