Zaçaj mbyll mandatin në krye të Kushtetueses: Rekord çështjesh të shqyrtuara në tre vjet

Mos i humb

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, në përfundim të mandatit si gjyqtare dhe njëkohësisht edhe si kryetare e kësaj gjykate, bëri një bilanc të punës përgjatë tre viteve të fundit.

Përmes një njoftimi për shtyp, Zaçaj veçoi mbylljen e çështjes së kohëzgjatjes së mandateve të gjyqtarëve kushtetues, të cilën e konsideroi një prej sfidave më të rëndësishme për institucionin.

“Për sa kohë mandati i gjyqtarit kushtetues është i lidhur ngushtë me pavarësinë e vetë atij sikundër edhe të kësaj Gjykate, paqartësitë në këtë drejtim ndikojnë në funksionimin sistemik të institucionit, por edhe në aspektin personal të gjyqtarëve. Në këtë drejtim mendoj se dhashë një kontribut që shkon përtej kahjes personale, pavarësisht ndonjë interpretimi të ndryshëm”, tha ajo.

Përgjatë periudhës 2023–2025, Zaçaj nënvizoi se Gjykata Kushtetuese është përballur me vendimmarrje me rëndësi të veçantë, të cilat kanë dëshmuar edhe një herë rolin e saj të pazëvendësueshëm si garante e Kushtetutës.

“Trupa e gjyqtarëve ka punuar me përkushtim, duke përballuar një numër rekord çështjesh, të cilat në tre vitet e fundit janë shtuar me 35-40%, duke arritur edhe deri në rreth 400 çështje të shqyrtuara në vit, nga të cilat një numër i konsiderueshëm, 85-90 çështje, janë mbyllur me vendime përfundimtare. Gjykata ka vazhduar të shqyrtojë çështjet e kaluara në seancë plenare brenda një periudhe 8-mujore dhe çështjet e tjera brenda afatit ligjor 3-mujor, duke vazhduar të mos ketë çështje të prapambetura”, shtoi ajo.

Zaçaj solli në vëmendje disa zhvillime të rëndësishme në planin ndërkombëtar, siç është marrja e kryesimit të Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Evropiane (CECC) gjatë Kongresit të 19-të të saj në muajin maj të vitit 2024, ku 35 gjykata anëtare votuan për herë të parë Shqipërinë si kryesuese për periudhën 2024–2027.

Duke u ndalur te nismat institucionale, Zaçaj nënvizoi se gjatë këtyre tre viteve janë ndërmarrë nisma që mungonin prej vitesh dhe që sot përbëjnë praktika të konsoliduara, me ndikim afatgjatë.

Po ashtu, sipas saj, është forcuar transparenca dhe informimi i publikut dhe që prej vitit 2023 Gjykata Kushtetuese ka aplikuar praktika të reja të hapjes dhe komunikimit publik.

Gjatë kësaj periudhe, trupa e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese ka miratuar një sërë aktesh të rëndësishme të brendshme, ndër të cilat Zaçaj veçoi rregulloren për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës së Gjykatës Kushtetuese dhe Kodin Etik të Administratës së Gjykatës Kushtetuese.

Në përfundim, Zaçaj shprehu bindjen se arritjet e deritanishme do të vijojnë të shërbejnë si bazë e fortë për zhvillimin e mëtejshëm të Gjykatës Kushtetuese dhe për forcimin e rolit të saj si institucioni më i lartë garantues i Kushtetutës.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit