Gjatë punimeve në Forumin e International Democrat Union (IDU) në Zagreb, delegacioni i Partisë Demokratike i kryesuar nga kryetari i saj Sali Berisha, zhvilloi takim bilateral me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenković.
Zyra për Median dhe Komunikimin në PD njoftoi se diskutimet u përqendruan në zhvillimet politike në Shqipëri dhe rajon, si dhe në procesin e integrimit europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Sipas njoftimit u vlerësua veçanërisht përvoja e suksesshme e Kroacisë si një model integrimi i bazuar në meritë dhe në përmbushjen reale të standardeve demokratike.
Në nisje të takimit, Berisha shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme të Kroacisë, vend mik, ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve në rrugën drejt Bashkimit Europian, veçanërisht mbështetjen e Kryeministrit Plenković, njëherazi President i HDZ.
Më tej, sipas njoftimit nga PD, Berisha u ndal mbi situatën në Shqipëri, duke theksuar regresin demokratik dhe tendencat autokratike të qeverisjes; mungesën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme; ndikimin e krimit të organizuar dhe karteleve të drogës në procesin zgjedhor dhe në jetën ekonomike të vendit; nivelet e larta të korrupsionit dhe mungesën e llogaridhënies dhe të checks and balances.
PD njoftoi se të dyja palët ranë dakord që procesi i integrimit europian duhet të jetë i bazuar në meritë dhe në përmbushjen e standardeve demokratike, duke shmangur një qasje të bazuar vetëm në konsiderata gjeostrategjike.
Nga ana e tij, Kryeministri Andrej Plenković rikonfirmoi mbështetjen e Kroacisë për Shqipërinë dhe për procesin e integrimit europian, duke nënvizuar rëndësinë e një procesi të bazuar në meritë.
Në përfundim, palët ranë dakord për forcimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e eksperiencave, me synim mbështetjen e demokracisë dhe të ardhmes europiane të Shqipërisë dhe rajonit.
Në takim, kryeministri Plenković shoqërohej nga Zdravka Bušić, zëvendëspresidente e HDZ dhe deputete; Andro Krstulović Opara, kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme dhe deputet; Tomislav Leko, zëvendësshef i Zyrës së Kryeministrit; dhe Tea Jerković, këshilltare e Presidentit të HDZ.
Ndërsa Berisha shoqërohej nga kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, deputetët Albana Vokshi dhe Belind Këlliçi, si dhe Sekretari për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Enri Çeno.


