Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Avigdor Liberman, ka deklaruar se nëse regjimi i Bashar al-Asadit përdor kundër shtetit të tij sistemin e mbrojtjes ajrore S-300 me të cilin Rusia ka planifikuar ta furnizojë Sirinë, atëherë ushtria izraelite do të përgjigjet.
Në një deklaratë për të përditshmen izraelite Yedioth Ahronot, Liberman pohoi se Izraeli nuk përzihet në punët e brendshme të Sirisë, por shtoi se nuk do të lejojnë që “Irani të vendosë në Siri sistemet e avancuara të armëve, të cilat mund t’i përdorë kundër Izraelit”.
“Nëse Asadi i përdor S-300-at kundër nesh, ne do t’i përgjigjemi”, deklaroi Liberman.
Qeveria e Moskës pas operacionit ajror të SHBA-ve, Britanisë dhe Francës ndaj Sirisë kishte njoftuar se planifikon ta furnizojë regjimin me sistemin e mbrojtjes raketore S-300.
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, në një deklaratë të djeshme ishte shprehur se plani për furnizimin e regjimit të Asadit me sistemin S-300 nuk është një sekret, por që ende nuk është arritur ndonjë vendim për këtë çështje.
Plani i Rusisë për sistemin S-300 ka shqetësuar Izraelin. Tel Avivi ka shprehur shqetësime se këto sisteme do të përdoren kundër avionëve izraelitë, të cilët kohë pas kohe realizojnë sulme ajrore ndaj Sirisë.


