Administrata amerikane ka transferuar për herë të parë një të burgosur nga burgu i Guantanamos që nga ardhja në detyrë e Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump.
Në një deklaratë me shkrim nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes (Pentagon) njoftohet se i dënuari Ahmed Muhammed Ahmed Haza el-Darbi i cili ndodhej i burgosur në Guantanamo i është dorëzuar qeverisë së Arabisë Saudite.
“Në një marrëveshje pranimi në shkurt 2014 Darbi u gjet fajtor nga komisioni ushtarak. Tani, sipas dispozitave të kësaj marrëveshjeje, 13 vitet e mbetura të dënimit ai do t’i vuaj në Arabinë Saudite. Ai ka hequr dorë nga e drejta e ankesës”, thuhet në deklaratë.
Po ashtu në deklaratën e Pentagonit ku jepet informacioni se në Guantanamo qëndrojnë 40 të burgosur, vihet në dukje se në lidhje me këtë transferim të dënuarit sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis, ka informuar Kongresin Amerikan.
Ish-presidenti amerikan, Barack Obama, kishte premtuar mbylljen e Guantanamo-s ku mblidheshin të dyshuarit për terrorizmin të cilët ishin kapur dhe arrestuar jashtë vendit nga SHBA-ja pas sulmeve të 11 shtatorit në vitin 2001.
Obama së fundmi në janar 2017 para se t’i dorëzonte detyrën e tij Trumpit ka transferuar të dënuarit nga Guantanamo dhe aty kishin mbetur 41 persona.
Gjithashtu edhe Trump gjatë fushatës zgjedhore, kishte premtuar se nuk do të mbyllte Guantanamon i cili është diskutuar për shumë shkelje të të drejtave të njeriut.
Guantanamo, ka qenë në rendin e ditës edhe me pretendimet se aty janë transferuar anëtarët e organizatës terroriste DEASH të kapur kohët e fundit në Siri.


