Ndonëse kanë qenë të angazhuar 2.284 administrues dhe 680 komisionarë, provimi shtetëror i maturës ka dështuar edhe këtë vit përsa i përket administrimit të tij.
Ligji për maturën shtetërore dhe një vendim i nxjerrë javë më parë nga ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) Shyqiri Bytyqi, e ndalojnë përdorimin e telefonave në ambientet ku mbahet testimi.
Megjithatë, maturantët kanë arritur që përmes telefonave ta fotografojnë testin dhe ta publikojnë në rrjete sociale nga ku i kanë marrë përgjigjet.
“A ka të grupit C përgjigje najkush shpejt”, “Ju që jeni kanë në test sot a ka pasur kontroll?-Jo veç merri dy telefona njërin e dorëzon tjetrin e mban”, ishin disa nga komunikimet e maturantëve në grupin “Testi i Maturës 2018-Pyetje-Përgjigje”, shkruan koha ditore. MASHT-i në një njoftim për media ka thënë se testet e publikuara nuk janë ato të cilat do t’i kenë maturantët para vetes në ditën e testimit./Kosova Post/


