Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, përmes një postimi në Facebook, ka treguar se ka filluar rinovimi i Klinikës së Emergjencës në QKUK dhe blerja e pajisjeve të reja, të cilat kanë munguar për një kohë të gjatë.
Më tej ai shkruan se me këtë investim kapital, në këtë klinikë do të nisin ndryshimet për ofrimin e shërbimeve më adekuate për qytetarët.
Ja postimi i plotë i ministrit Ismaili:
“Klinika e Emergjencës në QKUK, është një ndër klinikat më të ngarkuara gjatë ditës. Qindra qytetarë tanë nga i gjithë vendi kërkojnë ndihmë mjekësore për problemet e tyre aty. Megjithatë, ka kohë që kjo klinikë është në gjendje jo të mirë dhe nuk ka pasur asnjë investim në të. Ditë më parë ne kemi nisur rinovimin dhe blerjen e pajisjeve të shumta që kanë munguar në këtë klinikë. Shumë shpejt kjo klinikë do të transformohet në një vend më të denjë për ofrimin e shërbimeve për qytetarët tanë, duke marrë një pamje tërësisht tjetër. #PërShëndetësinëQëDuam #Reforma”, ka shkruar ministri Ismaili në Facebook./Kosova Post/



