Sipas Zyrës Europiane për Statistika (Eurostat), shkalla e papunësisë në Bashkimin Evropian (BE) ishte 7,1 për qind në muajin prill, nga 7,8 për qind në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
“Kjo mbetet shkalla më e ulët e regjistruar në BE28 që nga viti 2008”, tha Eurostat.
Shkalla e papunësisë në Eurozonë (EA19) gjithashtu ka rënë në 8,5 përqind, krahasuar me 9,2 për qind në prill të vitit 2017. Kjo gjithashtu është niveli më i ulët që nga dhjetori i vitit 2008.
Papunësia në muajin prill gjatë vitit të kaluar ka rënë me 1.63 milionë në BE28 dhe 1.09 milionë në EA19.
Instituti vlerësoi se rreth 17.46 milionë burra dhe gra në BE28 dhe 13.88 milionë në EA 19 ishin të papunë që nga prilli.
Sipas të dhënave, Republika Çeke kishte nivelin më të ulët të papunësisë me 2,2 për qind në muajin prill ndërsa Malta dhe Gjermania pasuan me 3 dhe 3,4 për qind.
Shifrat më të larta të papunësisë u regjistruan në Greqi me 20,8 për qind dhe në Spanjë me 15,9 për qind.
Në dekadën e fundit, shkalla më e lartë vjetore e papunësisë në BE u regjistrua në vitin 2013, edhe atë me 10,9 për qind, ndërsa niveli më i ulët ishte 7 për qind në vitin 2008.
Shkalla e papunësisë së të rinjve, të atyre nën moshën 25 vjeçare, ka rënë si në BE28 edhe në EA19. Në EU28 ka 3.43 milionë të rinj të papunë, prej të cilëve 2.43 milionë ishin në EA19.
“Në prill të vitit 2018, shkalla e papunësisë së të rinjve ishte 15,3 për qind në BE28 dhe 17,2 për qind në EA19, krahasuar me 17,2 për qind dhe 19,3 për qind, respektivisht në prill të vitit 2017”, tha Eurostat.
Ndërkohë, tha Eurostat, vlerësimi preliminar i blloqeve për majin e vitit 2018 tregoi se inflacioni vjetor i Eurozonës do të jetë 1,9 për qind, duke u rritur nga 1,2 për qind në muajin paraprak.


