Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka gjetur disa shkelje në deklaratat e pasurisë për kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja.
Në raportin e lexuar këtë të premte, trupa gjyqësore e KPK-së citon fillimisht një apartament në Golem, që gjyqtari e ka deklaruar në emër të vëllait, por kontrata e energjisë elektrike është e lidhur në emër të tij.
Së dyti, KPK gjen shkelje edhe tek një deklaratë borxhi të marrë nga kunati. Bëhet fjalë për një shumë prej 10 mijë eurosh.
“Në kohën që është firmosur deklarata e borxhit, kunati i gjyqtarit Bashkim Dedja ka qenë jashtë Shqipërisë”, thotë KPK.
Gjyqtari kushtetues ka deklaruar gjithashtu si pasuri të tij një apartament në rrugën “Sami Frashëri” me vlerën e 180 mijë eurove dhe 25 mijë euro borxh nga i vëllai.
Vetë Dedja nuk është i pranishëm në seancën dëgjimore publike, duke u përfaqësuar nga avokati i tij Maks Haxhia.
Trupa gjykuese përbëhet nga Valbona Sanxhaktari dhe anëtar Roland Ilia dhe Xhensila Pine. Në pritje të caktimit të datës për seancën dëgjimore është dhe anëtari tjetër i Gjykatës Kushtetuese, Gani Dizdari.
Deri tani nga Gjykata Kushtetuese janë rrëzuar tre gjyqtarë, Fatos Lulo, Altina Xhoxhaj dhe Fatmir Hoxha, teksa Besnik Imeraj ka dhënë dorëheqjen dhe në pritje tashmë janë Dedja dhe Dizdari. E vetmja që ka kaluar me sukses vetingun është Vitore Tusha./Top Channel/


