Rritet në më shumë se 74 numri i personave që humbën jetën si pasojë e zjarreve të përhapura në fushat pyjore në afërsi të kryeqytetit të Greqisë, Athinë.
Zjarret që shpërthyen në fushat pyjore në afërsi të qyteteve Rafina dhe Penteli në verilindje të Athinës dhe u përhapën edhe në rajonet e banuara, në masë të madhe janë vënë nën kontroll, ndërkaq ende vazhdojnë punimet për kërkim dhe shpëtim.
Kryetari i Komunës së Rafina-s, Evangelos Bournous në një deklaratë për televizionin SKAI tha se në bazë të informacioneve që posedon numri i personave që kanë humbur jetën si pasojë e zjarreve është rritur në më shumë se 74.
Disa prej tyre kanë humbur jetën pasiqë kanë mbetur të bllokuar në shtëpitë apo automjetet e tyre ndërsa disa të tjerë janë mbytur në det në përpjekjet për të shpëtuar nga zjarri.
Zëdhënësi i Qeverisë së Greqisë, Dimitrios Giannakopoulos tha se 156 persona, 16 prej tre fëmijë, janë plagosur si pasojë e zjarrit. Sipas tij, 11 nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë shëndetësore.
Për shkak të paraqitjeve për të zhdukur që bëhen në njësitë e policisë, ende vazhdojnë shqetësimet për rritje të numrit të të vdekurve.
Tri ditë zie
Ndërkohë në Greqi është shpallur 3 ditë zie.
Me vendimin e kryetarit të Kuvendit të Greqisë, Nikos Voutsis për shkak të fatkeqësisë së zjarreve, në Kuvend flamujt janë ulur në gjysëmshtizë.
Falënderim për Çavusoglun dhe Dimitrovin
Ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë ka falënderuar për ndihmën e ofruar, përkrahjen dhe solidaritetin e shprehur, duke theksuar se “katastrofat natyrore nuk njohin kufij dhe i tejkalojnë kontestet”.
Në një deklaratë nga ministria thuhet: “Shprehim falënderimin tonë të sinqertë deri te ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu dhe te ai i FYROM-it, Nikolla Dimitrov, për reagimin e tyre të shpejtë që të ofrojnë mjete ajrore për shuarjen e zjarreve vdekjeprurëse në rajonin e Atikës”./Rtv Islam/


