“Për shkak të numrit të madh të nxënësve në këtë shkollë (afër 2600) nuk ka mundësi që të përfshihen të gjithë këta nxënës në dy ndërresa mësimore. Prandaj, nxënësit e ciklit të ulët, prej kl. 1 deri në kl. 5, do të mbajnë mësimin në lokalet e SH.F.M.U. ‘Mihal Grameno’ në Fushë-Kosovë, kurse nxënësit e ciklit të lartë, prej kl. 6 deri në kl. 9, do të mbajnë mësimin në Shkollën e re në Fushë-Kosovë e cila gjendet afër Shkollës ‘Daut Bogujevci’:, thuhej në njoftimin e komunës, të publikuar më 1 shtator.
Ndërsa drejtori i shkollës “Mihal Grameno”, Ismet Gashi tha për kallxo.com se zhvendosja e nxënësve në shkollën tjetër, është alternativa e fundit për shkak të mungesës së hapësirës në objektin aktual, i cili i ka 25 klasë mësimi.
“Arsyeja është se është rritë numri i nxënësve në këtë shkollë , janë bërë mbi 2 mijë e 730 nxënës dhe gjatë planifikimit e kemi parë që 20 paralele nuk na zë hapësira këtu në shkollë dhe kemi qenë të detyruar që klasët e 6-ta, 7, 8 dhe të 9-ta t’i bartim në objektin e ri të shkollës “Daut Bogujevci” dhe atje t’i vendosim në këtë vit shkollor”, tha ai.
Sipas drejtorit, shkolla e re e cila është në ndërtim e sipër tash e tetë vjet, ka kushte për zhvillim të mësimit.
“Po, sepse është objekti i ri i ministrisë qe 8 vite ka filluar të ndërtohet dhe sivjet meqë është në përfundim, janë disa renovime të vogla, mirëpo shumica e punëve janë përfunduar dde kushtet janë krijuar për me e filluar procesin mësimor dhe sot veç ka filluar dita e parë e mësimit atje” shtoi Gashi.
Në anën tjetër, ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi tha se përgjegësia për këtë çështje nuk është e ministrisë, por e Drejtorisë Komunale për Arsim.
“Ne e kemi marrë këtë shqetësim. Kemi marrë informacione edhe nga DKA-ja. Ajo çka duhet të kuptjmë të gjithë kjo nuk është përgjegjësi e Ministrisë, por e DKA-së. DKA-ja duhet të bëjë zgjidhje e cila është e favorshme për nxënësit. Nëse ka nevojë për mbështetje nga ana e Ministrisë ne do të jemi të gatshmë të bashkëpunojmë me DKA-në të ofrojmë zgjidhje. Ajo çka është problematike në Fushë Kosovë, ka një shtim të madh të numrit të nxënësve për shkak të ardhjeve në këtë komunë”, tha ministri.
Prindërit e nxënësve kanë paralajmëruar mbajtjen e një proteste edhe më masive ditën e nesërme./Kosova Post/