
Komisioni parlamentar për çështjet e rregullores, mandatit dhe imunitetit në Maqedoni, votoi sot rekomandimin për dorëzimin e një raporti, me të cilin i propozohet Kuvendit t’i merr mandatin e deputetit, ish-kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski, për të cilin tashmë ka një aktvendim të plotfuqishëm me të cilin është dënuar me dy vite burg.
Për vendimin e Komisionit, i cili së shpejti pritet të debatohet në seancën plenare të Kuvendit, votuan pesë deputetë, pasi paraprakisht deputetët e partisë opozitare VMRO-DPMNE-së pas elaborimit se janë kundër, braktisën seancën.
Deputeti i tyre, Trajko Veljanovski, në fjalimin e tij, akuzoi se institucionet e vendit janë vënë në përdorim të qëllimeve politike, për çka procesin kundër Gruevskit e quajti të motivuar politikisht, ndërsa për gjykatat tha se nuk janë të pavarura.
“Në bazë të ligjeve, gjykatat janë të pavarura, por fatkeqësisht në Republikën e Maqedonisë nuk kemi të tilla. Sot deputetëve u gjykohet për mendimin e shprehur. Këtu, për Gruevskin nuk është dëshmuar dëmi mbi shtetin, as përfitimi të cilin e ka marrë Gruevski. Me automjetin i cili është lëndë e veprës penale, kanë udhëtuar dhe udhëtojnë mysafirë nga jashtë”, tha Veljanovski, për të cilin rasti përdoret për defokusim të opinionit.
Kryatari i komisionit, Pavle Bogoevski, ndër arsyet përse duhet që Gruevskit t’i merret mandati i deputetit, tha se fillimisht kjo detyrë është privilegj dhe detyrë, për të shtuar se ish-kryeministri nuk është i denjë të ushtrojë këtë detyrë meqë, siç tha, ka zhgënjyer besimin e qytetarëve.
“Arsyeja kryesore për të cilën mendoj se deputetit Gruevski duhet t’i merret mandati është se ai është i dënuar për veprën penale të abuzimit të pushtetit, veprën penale për keqpërdorimin e besimit të qytetarëve”, tha Bogoevski, sipas të cilit, Gruevski nuk është i denjë të vazhdojë të marrë pagën mujore nga paratë e qytetarëve.
Sqarimin e tyre e dhanë edhe deputetët e grupit parlamentar të dalë nga VMRO-DPMNE-ja, të cilën ndonëse nuk janë pjesë e komisionit, thanë se nuk do të votojnë për heqjen e imunitetit, me arsyetimin se të enjten u formua komisioni parlamentar për pajtim, për çka vlerësuan se votimi është i përshpejtuar.
Kushtetuta e Maqedonisë parasheh se mandati i një deputeti mund të merret me 80 vota pro në Kuvend.
Kujtojmë se kohë më parë, Gjykata Apelit në Shkup konfirmoi sot masën e dënimit me dy vite burg për ish- kryeministrin e Maqedonisë, Nikolla Gruevski në rastin “Tanku”, të cilin gjykata e instancës më të ulët ia shqiptoi në maj të këtij viti, ndërsa të akuzuarit tjetër, Gjoko Popovski i uli për dy vjet dënimin.
Aktakuza e ngarkonte Gruevskin për ushtrim të ndikimit mbi dy të akuzuarit tjerë në mënyrën që nga Gordana Jankullovska, në cilësi të ministres së Brendshme ka kërkuar që MPB-ja të blejë automjet udhëtimi “Mercedes”, ndërsa Jankullovska ka nxitur Popovskin që gjatë blerjes së automjetit ta favorizojë një firmë.
Edhe ish-ministrja e Brendshme, Jankullovska është pjesë e të njëjtit proces, por nga shkaku i shtatzanisë ajo u gjykua ndaras./Rtv Islam/


