Trendi botëror i lidhjes me internet nuk ka si të anashkalojë Zvicrën. Pra edhe këtu është në rritje të vazhdueshme numri i njerëzve që kanë qasje në internet.
Sipas një hulumtimi të realizuar nga Zyra Federale për Statistikë (BfS), në tremujorin e parë të këtij viti, në Zvicër, 90 për qind të personave të rritur “kanë qenë online”, transmeton albinfo.ch. Po u krahasua me vitin 2014 kur ishin 84%, shihet se ka një rritje.
Është interesante se sipas këtij hulumtimi, rritje të madhe lidhja me internet ka pësuar te personat e moshës së pensionit, pra 65 e më shumë vjeçarë.
Përveç numrit të shtuar të shfrytëzuesve të internetit, ka rritje edhe të qëndrimit online të tyre, marrë në përgjithësi. Hulumtimi tregon po ashtu se është rritur edhe numri i ekonomive familjare që kanë qasje në internetin mobil. Kjo vjen si rezultat i pajisjes së shtuar të qytetarëve me smartfonë dhe me tabletë./Albinfo.ch/