Protestat në Sudan, të paktën 19 të vdekur dhe mbi 400 të lënduar

Mos i humb

Të paktën 19 të vrarë dhe 406 të plagosur është bilanci i protestave në Sudan të cilat filluan më 19 dhjetor, në shenjë pakënaqësie për ekonominë e përkeqësuar të vendit.

Shifrat janë publikuar nga agjencia zyrtare e lajmeve SUNA, e cila thotë se protestuesit shprehin revoltën e tyre kundër mungesës së produkteve themelore përfshirë bukën dhe karburantin.

Ministri i Informacionit, Komunikimit dhe Teknologjisë Informative, Bushara Guma Aro, në një konferencë për mediat tha se protestat ishin fillimisht paqësore dhe policia nuk ndërhyri, por gradualisht ato u kthyen në protesta të dhunshme.

Nga të vdekurit, 17 janë civilë dhe dy pjesëtarë të forcave të rendit, ndërsa nga të lënduarit, 219 janë civilë dhe 187 policë.

Siç bëri të ditur ministri Aro, disa nga viktimat kanë pësuar gjatë konfrontimeve midis pronarëve të dyqaneve dhe protestuesve të cilët u përpoqën të plaçkisin pronat e tyre, ndërsa vuri në dukje se forcat e rendit kanë arrestuar 107 persona të cilët janë pjesë e lëvizjeve të armatosura.

Ai shtoi se qeveria tashmë ka marrë masa për të kapërcyer krizën, dhe premtoi se mungesat do të zgjidhen pas 15 janarit.

Aro u përgjigj edhe ndaj thirrjeve për ndryshime në qeveri, duke thënë se “mënyra për ndryshimin e regjimit është përmes kutisë së votimit”.

Ndërkohë, opozita sudaneze, përmes rrjeteve sociale ka bërë thirrje për demonstrata të mëdha në tërë vendin, pas lutjeve të së premtes.

Të martën policia sudaneze ndërhyri në demonstratën kundër kushteve ekonomike para pallatit presidencial në kryeqytetin Khartoum, ku protestuesit kërkuan dorëheqjen e presidentit Omar al-Bashir. Presidenti Bashir, të hënën premtoi reforma ekonomike të cilat do t’u mundësojë qytetarëve një jetë dinjitoze.

Vendi me 40 milionë banorë po lufton për rimëkëmbje pas humbjes të tre të katërtave të prodhimit të naftës, që është burimi kryesor që kur Sudani i Jugut u nda në vitin 2011.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) në vitin 1997 filluan imponimin e sanksioneve, përfshirë edhe një embargo tregtare, me akuzat për shkeljet e të drejtave të njeriut, përfshirë shqetësimet e terrorizmit, por së fundmi njoftuan se do ti heqin në janar.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit