
Të paktën 17 persona e kanë humbur jetën dhe 64 të tjerë u plagosën në përleshjet që ndodhën gjatë zgjedhjeve të sotme parlamentare në Bangladesh.
Me masa maksimale të sigurisë sot në Bangladesh u mbajtën zgjedhjet e 11-ta parlamentare, ku të drejtë vote kanë mbi 104 milionë votues.
Qendrat e votimit në të gjithë Bangladeshin u hapën në ora 08:00 dhe u mbyllën në ora 16:00 sipas kohës lokale.
Në 13 rajone pati trazira në rrugë dhe konflike mes mbështetësve të pushtetit dhe grupeve të opozitës. Gazeta “Daily Star” raporton se të paktën 17 persona u vranë dhe 64 të tjerë të plagosur u shtruan në spital.
Mediat lokale gjithashtu raportojnë se 8 të dyshuar janë arrestuar.
Inspektori i policisë, Muhammad Javad Patvary tha se zgjedhjet kanë kaluar në mënyrë të qetë dhe me dinjitet, me disa përjashtime të vogla.
Nga ana tjetër, udhëheqësit e opozitës pohojnë se ka pasur parregullsi të shumta dhe vjedhje elektorale.
Në garën zgjedhore marrin pjesë gjithsej 39 parti politike dhe tre blloqe politike.
Liga në pushtet Awami, e kryeministres Sheikh Hasina, kryeson Koalicionin e Madh, ndërkaq Partia Kombëtare e opozitës (BNP) kryeson Koalicionin e Unitetit Kombëtar. Blloku i tretë, apo Koalicioni Demokratik përbëhet nga partitë e krahut të majtë.
Në total 1.848 kandidatë garojnë për hyrje në parlamentin me 300 vende.
Ushtria dhe policia kanë ndërmarrë masa maksimale të sigurisë në të gjithë Bangladeshin dhe është njoftuar se të paktën 650 mijë ushtarë dhe policë janë angazhuar nëpër qendra votimi dhe në rrugë.
Masat maksimale të sigurisë janë shpallur nga e mërkura, deri kur do të dihen rezultatet e zgjedhjeve.


