
Taksa ndaj Serbisë ka gjasa të hiqet, iu tha kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, bizneseve vendëse në komunën e Pejës.
Sipas Haradinajt, taksa është bërë për shkaqe politike dhe të sigurisë e jo për prodhuesit vendorë.
“Ne e kemi marrë vendimin për taksën dhe ky vendim nuk është marrë për shkak të prodhuesve vendorë. Ne e kemi marrë për shkaqe politike të sigurisë. Kjo masë nuk është e përhershme, mos mendoni që kjo rrinë tërë jetën. Kjo taksë ka shanca edhe të hiqet”, tha Haradinaj.
Kryeministri tha se taksa do hiqet atëherë kur Serbia do i plotësojë kushtet e kërkuara nga vendi ynë.
“Por kjo nuk do hiqet pa u kriju edhe kushtet për heqjen e kësaj takse. Shfrytëzojeni mundësinë sepse taksa nuk është e përjetshme. Serbia ka vendosë barriera jo tarifore që na ka bërë të pamundshme të operojmë me të, fakti që në Kosovë ne jemi treg i hapur për ta. Për me prapësu Serbinë me e kthy mbrapa jemi detyruar me vendosë taksën. Ne s’po mundemi ta bindim Serbinë ta njohë shtetin tonë por kjo një ditë do të hiqet unë kam thënë që një ditë hiqet bora”, tha Haradinaj raporton EO.
Kreu i Qeverisë, ditën e sotme e ka kaluar në Pejë, ku përveç që ka vizituar biznese vendore, ka marrë pjesë edhe në manifestimin për nder të shënimit të 120-vjetorit të Lidhjes së Pejës.


