Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtes Sociale, Ogerta Manastirliu, në fjalën e saj në Kuvend ka ritheksuar se në Shqipëri deri tani nuk ka asnjë rast të konfirmuar me koronavirus dhe rreziku për depërtimin e virusit në vendin tonë vazhdon të mbetet i ulët.
Sa i takon studentes shqiptare nga Wohan-i që është transportuar në Turqi, Manastirliu tha se po ndiqen të gjitha procedurat standarde.
“Për qytetarët shqiptarë në Kinë, ka patur një komunikim të vazhdueshem për transportin e tyre dhe janë marrë masat duke u ndjekur nga strukturat tona. Studentja shqiptare nga Wohan-i e cila është transportuar dhe aktualisht është në Ankara, është ndjekur ngushtë nga dy ministritë e linjës, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për të gjithë procedurat standard që ndiqen në këto raste”, u shpreh ministrja.
Manastirliu deklaroi se Task- Forca e strukturave shëndetësore dhe ekspertëve po ndjek hap pas hapi situatën dhe koordinimit e masave mes strukturave të MSHMS.
“Task Forca e përbërë nga 24 ekspertë të institucioneve shëndetësore mblidhet çdo ditë për rivlerësimin e masave të marra dhe pas deklarimit të situatës shëndetesore emergjencë ndërkombetare nga OBSH, kam ngritur Komitetin teknik për parapërgatitjen në marrjen e masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit” u shpreh Manastirliu.
Ministrja Manastirliu theksoi se pas shpalljes së situatës emergjencë globale edhe në vendin tonë janë shtuar masat për kontrollin, gjurmimin e rastit dhe izolimin e tij, bazuar në rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Rregullores Ndërkombëtare të Shëndetit. Manastirliu deklaroi gjatë fjalës së saj në Kuvend se janë marrë masat edhe me logjistikën e nevojshme, me mjetet mbrojtëse dhe me dhomat e izolimit apo karantinës për çdo rast që do të konsiderohet e nevojshme.
Duke ju referuar infodemisë, apo përhapjes së lajmeve të rreme, Manastirliu deklaroi:
“Është një shqetësim global edhe infodemia ndaj do t’ju lutesha t’i referoheni website-ve zyrtare të MSHMS dhe ISHP, cilat kanë informacion të përditësuar për situatën që lidhet me koronavirusin e ri”.


