Abuzimet në Kadastër, Lame: Në regjistrat e Tiranës mungojnë mijëra faqe, përgjegjës çdo ministër e kryeministër

Mos i humb

Kreu i Kadastrës Shqiptare, Artan Lame në një  konferencë për shtyp njoftoi regjistrimin e saktë të AMTP-ve në Tiranë. Lame theksoi se ky proces u krye për të gjithë fshatrat e qarkut Tiranë, ndërsa tha se janë zbuluar abuzime të shumta që janë kryer ndër vite me regjistrat e pronave.

“Aktualisht kemi një korpus të qartë të të gjitha AMTP-ve të ligjshme të lëshuara ndër vite. Ky saktësim i shërben shmangies së abuzimeve të bëra në dekada. Pasi konkluduam nga ana e ASHK-së u krye fotokopjimi dhe skanimi i të gjithë formularëve. Ky proces u krye për të gjithë fshatrat e qarkut Tiranë. Deri më sot e regjistruar gjysma e pasurive. Nuk ekziston rreziku i zhdukjes së kufijve fizikë. Nga ky moment, ky rrezik nuk ekziston më, pasi askush nuk mund të prodhojë më AMTP te Rruga e Kavajës, e dinë të gjithë historinë te Rruga e Kavajës”, tha ai.

Kreu i Kadastrës, bëri të ditur gjetjet gjatë kontrollit në qarkun e Tiranës, që u krye njësoj si edhe në Durrës. Lame tha se janë gjetur një sërë shkeljesh. Ai tha se janë hasur qindra faqetë grisura në regjistra. Në Tiranë, Lame zbuloi se janë konstatuar po ashtu mijëra faqe bosh.

“Janë grisur regjistrat. I mbetet hetimit për të kuptuar për qindra faqe. Janë të dyshuara si të zëvendësuara. U gjetën 914 faqe të dubluara. Pra e njëjta pronë ekziston në dy faqe. Janë 180 faqe të grisura. Që do të thotë se nuk ekziston në regjistër, por në themel duket faqja e grisur.

Fenomen që në Tiranë ishte shumë më i madh se në Durrës janë 13 mijë faqe bosh në regjistër. Janë mijëra faqe pronash shtetërore që kanë përtuar ti plotësojnë. Është punë që duhet të ribëhet tani.

Janë dëmtimet që u evidentuan dëmtimet në regjistra. Ka edhe ndërrime fletësh që nuk kuptohen menjëherë, të bëra me art. Shumica e regjistrave janë të palidhur. Në rastin e Tiranës, pesha është rreth katër herë më e ulët.

Regjistrat më të dëmtuar më shumë janë ato që kanë të bëjnë me zona në zhvillim të qytetit, si Farka, Yzberishti, Farka etj. Ndërsa për zonën Kamëz, Vorë, do të veçoja qytetet, pastaj Paskuqani, Babrruja dhe Domja”, tha Lame.

Lidhur me këtë situatë, Lame bën përgjegjës, çdo ministër, kryeministër dhe drejtor në këto vite, për të shkuar më pas tek hallka e fundit që është punonjësi i arkivës, i cili ka bërë dhe ndërhyrjen në regjistër.

“E kujt është përgjegjësia? Unë ndjehem i lodhur që është shumë e thjeshtë të gjejmë përgjegjësinë te një punonjës arkivi para 10 apo 20 vjetësh. Kur shikojmë anën juridike mjafton që s’ka pasur asnjëherë rregullore të qartë se kush i rregullonte regjistrat. Edhe sikur të merremi, do të thoja që përgjegjësinë në të gjithë historinë e ka çdo ministër, çdo kryeministër, çdo drejtor, çdo gjykatës që ka bërë këtë mish mash në këto vite, për të shkuar më pas te hallka e fundit që është ai punonjësi i arkivës”, tha ai.

Sakaq, me regjistrimin e ri të AMTP-ve, Lame tha se vjen edhe fundi i abuzimeve. “Vlera e  parë e këtij inventari është që vendos një ditë zero. Pas kësaj dite nuk ka më rrëmujë. Tani arkivi i pronave në Tiranë dhe Durrës është me sistem kamerash dhe alarmi. Siç u veprua për Durrësin edhe raporti i Tiranës do ti përcillet ministrisë së Drejtësisë”

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit