Aftësia për të bërë zgjedhjen e duhur

Mos i humb

Profeti Musai (a.s.) u rrit dhe e kaloi rininë e tij në pallatin e faraonit. Sidomos për të rinjtë, jeta e luksit është e bukur, ka shije dhe është joshëse.

Gjatë viteve të rinisë, Musai (a.s.) mendonte shpesh mbi faktin që nuk ishte djali i faraonit, as i Asijes. Ai e dinte se ishte djali i një nëne të varfër, e cila banonte në një kasolle prej kashte. Ai e ndjente se i përkiste një populli dhe shtrese tjetër shoqërore.

Nga ana tjetër, ai ishte dhe thirrej nga të gjithë njerëzit me titullin princ Musai. Veshjet i kishte të një princi të vërtetë, shoqërohej nga një eskortë e madhe dhe kishte kuaj të hijshëm.

Me gjithë këto salltanete, Musai (a.s.) e ndjente se nuk i përkiste një shtrese të tillë. Ai nuk ishte biri i faraonit, edhe pse e thërrisnin si biri i faraonit. Ai e dinte se nëna e tij e vërtetë ishte mëndesha, ajo që e kishte ushqyer me qumësht. Musai (a.s.) nuk i kishte treguar se kush ishte nëna e tij, edhe pse Asija i kishte thënë se ajo nuk ishte nëna e tij e vërtetë.

Profeti Musa (a.s.) mund të vazhdonte të jetonte jetën e luksit, mes gjithë të mirave materiale, por një njeri parimor si ai, duhej të bënte një zgjedhje. Ai nuk mund t’u ngjante atyre njerëzve që e mbyllin jetën mes një dualizmi vrasës, duke mos ditur të zgjedhin.

Profeti Musa (a.s.), e bëri zgjedhjen e tij dhe në bazë të kësaj zgjedhjeje, Zoti e përgatiti dhe ia lehtësoi rrugën për të përmbushur misionin e tij.

Ne nuk duhet të harrojmë që jeta jonë është e mbushur me kryqëzime dhe ne jemi të detyruar të bëjmë zgjedhjen tonë për çdo rast. E veçanta është se Zoti i ka dhënë secilit prej nesh, lirinë e duhur për të zgjedhur sipas preferencave. Zoti i lirisë e urren imponimin në zgjedhjen e një rruge të caktuar. Pikërisht për lirinë e mohuar, Ai dërgoi dhe profetin Musa (a.s.), që t’i falte lirinë popullit të tij. Nëse e dërgoi Musain (a.s.) për t’i sjellë popullit të tij lirinë, Zoti do e linte atë vetë të zgjidhte çfarë të donte.

Vlera që do të trajtojmë në këtë temë, është aftësia për të bërë zgjedhjen e duhur në kohën e duhur. Siç vihet re, kjo nuk është vetëm një çështje fetare, por që ka të bëjë me thelbin e jetës së përditshme.

Shumë njerëz e kanë të vështirë të bëjnë zgjedhjen e duhur. Ata thjesht ndjekin interesin dhe leverdinë në çdo zgjedhje. Ka të tjerë, të cilët nuk kanë kurajën dhe guximin e duhur për këtë dhe u kërkojnë miqve dhe shokëve t’i ndihmojnë. Ashtu siç ka të tjerë, të cilët zakonisht bëjnë zgjedhjen e duhur në çastin e duhur. Nëse dëshiron të jesh i suksesshëm në këtë botë dhe në tjetrën, duhet të dish të bësh zgjedhjen e duhur dhe në kohën e duhur. Ne sot jemi të ndërgjegjshëm që shumë nga të rinjtë tanë nuk dinë të bëjnë zgjedhjen e duhur. Shumë prej tyre nuk dinë çfarë universiteti të ndjekin. Për disa, janë prindërit ata që u thonë se çfarë duhet të studiojnë. Për disa të tjerë janë shokët dhe të afërmit.

Mes pallatit të faraonit dhe kasolleve të Benu Israilëve

Pallati i faraonit ishte i mbushur me ushtarë, shërbëtorë, zbukurime, flori, mëndafsh etj… Kurse shtëpitë e Benu Israilëve ishin kasolle të thjeshta, ku fukarallëku dallohej lehtë. Ato ishin të ndërtuara në bregun e lumit Nil dhe strehonin njerëz, të cilët jetonin në mjerim, të shtypur dhe të nëpërkëmbur. Vallë cilën nga dy shtresat do të zgjedhë profeti Musa (a.s.) që t’i përfaqësojë?

Vlera që po trajtojmë në këto rreshta, është një vlerë, e cila na ndihmon në rrugën e jetës. Ajo na aftëson të bëjmë zgjedhjen e duhur në çastin e duhur.

Ka njerëz, të cilët hezitojnë për dhjetëra vite të bëjnë një zgjedhje, duke jetuar në dualizëm mbytës. Ata presin që vendimin e tyre ta marrë dikush tjetër.

Profeti Muhamed (a.s.) thotë në një hadith: “Askush prej jush të mos jetë thjesht imitues i të tjerëve, nëse njerëzit sillen mirë, edhe ata sillen mirë. E nëse njerëzit sillen keq, edhe ata sillen keq. Por jini të qëndrueshëm, nëse njerëzit sillen mirë, silluni dhe ju mirë. E nëse ata sillen keq, mos u sillni padrejtësisht.”

Ti duhet ta bësh vetë zgjedhjen e duhur dhe jo të presësh të tjerët të zgjedhin për ty. Varet nga zgjedhja jote nëse do të fitosh gradat më të larta të xhenetit, ose shkallët më të ulëta të zjarrit. Zgjedhja e duhur të fal lumturinë e kësaj bote dhe të tjetrës.

Misioni i Musait: Jo shtypjes së Benu Israilëve!

Profeti Musa (a.s.) do të bëjë një zgjedhje, e cila përbën zanafillën që shumë shpejt të flasë direkt me Zotin, pa asnjë ndërmjetës. Profeti Musa (a.s.) do e refuzojë jetën në pallatin e faraonit. Ai e ndjen se u përket Benu Israilëve, edhe pse ata janë shtresa më e ulët në Egjipt. Ai e kishte në dorë ta kalonte jetën si princi Musa, por misioni dhe objektivi i tij binin ndesh me një jetë të tillë. Misioni që i kishte ngarkuar vetes, kishte të bënte me çlirimin e Benu Israilëve dhe shpëtimin e tyre nga zgjedha e faraonit. Ai nuk mund ta pranonte shtypjen dhe padrejtësinë, pasi ishte rritur dhe edukuar si i lirë dhe fisnik. Duke qenë se populli i tij jetonte i nënshtruar dhe i shtypur, ai duhej të bënte diçka, duhej të përpiqej. Ajo që bëri Musai (a.s.) e shndërroi në heroin e lirisë për të shtypurit në të gjithë historinë njerëzore. Mandela, Gandi dhe shumë personalitete të tjera të lirisë, kanë se çfarë të mësojnë nga profeti Musa (a.s.). Nëse revolucioni francez e arriti objektivin e tij, por me gjak, Musai (a.s.) e arriti pa derdhur gjak.

Në këtë kohë, Musai (a.s.) nuk ishte profet, por thjesht një besimtar, i cili e donte Zotin dhe u donte të mirën njerëzve. Ai kishte konstatuar dhunë, padrejtësi dhe shtypje dhe kishte vendosur ta ndryshonte këtë gjendje. Ai kishte parë njerëz që shtypeshin padrejtësisht dhe kishte vendosur t’i ndihmonte dhe t’i përkrahte, për t’i nxjerrë nga kjo gjendje. Për këtë, ai filloi të takohej me shpesh me Benu Israilët, filloi të krijojë miqësi me ta, bëri që një pjesë e tyre t’i shkojnë pas etj…

Ditën që do të bësh zgjedhjen tënde të duhur, dije se Zoti do të vërë në provë. Nëse e kalon me sukses, Ai të ndihmon dhe të shtyn drejt realizimit të objektivit final.

Edhe pse ishte në favor të Benu Israilëve, princi Musa sërish gëzonte privilegje, që nuk i gëzonte askush tjetër. Ai ishte sërish princi Musa, jetonte në pallatin e faraonit, gëzonte jetën e luksit dhe ishte i mbrojtur nga çdo e keqe, ndërkohë që Benu Israilët nuk gëzonin asnjë nga këto privilegje. Ai që e ka dorën në ujë, nuk është si ai që e ka në zjarr.

Këto dyshime dhe pasiguri të Benu Israilëve, duhej t’i shuajë një ndodhi vendimtare, që t’i bindë përfundimisht se princi Musa qëndronte në anën e tyre. Benu Israilët duhej të siguroheshin që Musai do të qëndronte në krahun e tyre.

Ngjarja vendimtare

Nga madhështia e Kuranit është se nxit për meditim. Ai i rrëfen historitë të përmbledhura dhe të jep hapësira të meditosh rreth tyre dhe të nxjerrësh mësime. Këtë e hasim edhe në ajetin e mëposhtëm: “Një herë Musai hyri në qytet, pa u vënë re nga banorët e tij. Atje pa dy njerëz që rriheshin. Njëri ishte nga të vetët, kurse tjetri ishte nga kundërshtarët. Ai i grupit të vet i kërkoi ndihmë kundër atij të popullit armik. Dhe Musai i ra me grusht atij, duke e vrarë. Pastaj tha: “Kjo është punë e djallit! Ai është armik i betuar i njeriut dhe ngatërrestar i hapur!” (Kasas, 15)

Ajeti i mësipërm ilustron një ngjarje vendimtare në jetën e Musait (a.s.), një ditë, kur hyri në lagjen e popullit të tij, Benu Israilëve. Ajeti i mësipërm, vë theksin mbi mënyrën si hyri, pa u ndjerë nga banorët. Përse duhej të hynte pa u vënë re nga banorët? A nuk ishte princi Musa, i cili banonte në pallatin mbretëror? E kush do ta ndalonte atë?

Me këtë, sikur Kurani na thotë: Lajmet mbi origjinën e vërtetë të Musait (a.s.) kishin filluar të përhapeshin në pallat. Vajtja e Musait (a.s.) në këtë lagje të varfër, sikur ishte për t’u takuar me një grup të caktuar nga Benu Israilët. Këtë takim nuk duhej ta merrte vesh në asnjë mënyrë faraoni. Edhe pse deri atëherë nuk kishin pasur ndonjë fërkim, Musai (a.s.) i druhej dhe bënte kujdes.

Kur hyri në lagjen e Benu Israilëve, Musai (a.s.) dalloi dy njerëz në grindje e sipër. Njëri prej tyre ishte nga Benu Israilët, madje më shumë. Termi që përdor Kurani “shiatihi”, është një term që përdoret për njerëzit më të afërm, përkrahësit dhe ndjekësit. Ky është tregues që Musai (a.s.) kishte bërë disa lëvizje gjatë kësaj kohe, të cilat kishin rezultuar të suksesshme. Nga takimet me disa koka të Benu Israilëve, ai kishte arritur të fitonte simpatinë dhe përkrahjen e tyre. Tashmë ai kishte ndjekësit dhe pasuesit e tij në mesin e Benu Israilëve. Edhe pse nuk ishte obliguar me misionin hyjnor, ai kishte ndërmarrë disa hapa për të larguar shtypjen nga populli i tij.

Unë nuk po i bëj thirrje askujt që të sakrifikojë siç sakrifikoi Musai (a.s.). Ajo për të cilën bëj thirrje është që kur të takoni ndonjë të vobektë, ta mundoheni ta ndihmoni dhe t’ia zgjidhni problemet. Gjëra të tilla e parapërgatitën Musain (a.s.) që më pas të zgjidhej nga vetë Zoti.

“…kurse tjetri ishte nga kundërshtarët”. Personi, me të cilin po zihej pasuesi i Musait (a.s.), mund të ketë qenë nga besnikët e faraonit. Musai (a.s.) nuk ishte armik dhe kundërshtar i të gjithë egjiptianëve. Të keqen ai e kishte vetëm me faraonin dhe përkrahësit e tij. Kurse popullata e thjeshtë, ose ishin simpatizantë të Musait (a.s.), ose të paanshëm.

Musai (a.s.) e sheh egjiptianin duke e rrahur pa mëshirë ndjekësin e tij nga Benu Israilët dhe nuk e përmban dot veten. Përse duhej të reagonte Musai (a.s.)? A nuk ishte një skenar që e shihte çdo ditë? A nuk shihte çdo ditë ushtarë të faraonit duke rrahur dhe keqtrajtuar çifutët?

Duke qenë se kishte lindur dhe ishte rritur i lirë, Musai (a.s.) nuk e duroi dot një pamje të tillë. Menjëherë u turr drejt tij dhe e qëlloi fort me grusht. Me një të rënë, egjiptiani u shtri sa gjerë gjatë i vdekur. Ishte një vrasje e pamenduar dhe pa dashje.

Ishte hera e parë që një nga Benu Israilët ngrinte krye ndaj padrejtësisë dhe shtypjes. Musai (a.s.) ishte personi i parë që i tha “Jo” dhunës, gjë e cila përbën një rast të paprecedent në historinë e Egjiptit. Nga kjo ditë, Musai (a.s.) do të konsiderohej si heroi, i cili sakrifikoi veten për t’u ardhur në ndihmë fukarenjve dhe njerëzve të vobektë. Për shkak të kësaj ndodhie, ai detyrohet detyrua të largohej nga Egjipti dhe të qëndronte dhjetë vjet në Medjen.

Jo shtypjes, pro drejtësisë

Kur pa që egjiptiani mbeti i vdekur në vend, Musai (a.s.) mbeti pa gojë dhe u pendua për atë që bëri. Pastaj tha: “Kjo është punë e djallit! Ai është armik i betuar i njeriut dhe ngatërrestar i hapur!”

Musai (a.s.) mendoi: Shumë mirë mund ta kisha larguar nga çifuti, pa e qëlluar me grusht, gjë e cila rezultoi fatale.

Ai u pendua edhe për diçka tjetër. Ai nuk e dinte se cili e kishte fajin nga dy personat që grindeshin. Shumë mirë mund ta kishte fajin çifuti. Nuk është e thënë që të gjithë ndjekësit dhe simpatizantët e faraonit të jenë zullumqarë. Musai (a.s.) duhej t’i kishte pyetur në fillim përse ziheshin dhe të ishte sqaruar.

Kur u përball me rezultatin fatal të grushtit të tij, tha: “Kjo është punë e djallit! Ai është armik i betuar i njeriut dhe ngatërrestar i hapur!”

I penduar nga ajo që bëri, Musai (a.s.) u lut: “O Zoti im! Njëmend, Unë i kam bërë keq vetes, andaj më fal!” Dhe Ai e fali. Pa dyshim, Ai është Falësi e Mëshirëploti.”(Kasas, 16)

Nga kjo ndodhi, Musai (a.s.) mësoi diçka tepër të vyer. Ai mësoi që të mos gjykonte mes dy palëve, pa i dëgjuar të dy njëlloj. Ai kishte zgjedhur të ndihmonte çifutët dhe t’i nxirrte nga shtypja e faraonit. Por këtë nuk mund ta bënte duke vrarë dhe shtypur kundërshtarët.

Gjatë dhjetë viteve në arrati, Musai (a.s.) meditoi rreth vlerës së drejtësisë. Kjo vlerë, drejtësia, zuri vend fuqishëm në zemrën e Musait (a.s.). Një nga cilësitë e Zotit është edhe “Edukatori”. Ai e edukoi Musain (a.s.) për dhjetë vjet, me vlerën e drejtësisë.

Kur Musai (a.s.) i kërkoi Zotit falje dhe mëshirë për veprën që bëri, e ndjeu nga përbrenda që Zoti e fali. Në çastin e pendimit dhe kërkimit të faljes, besimtari e ndjen nëse Zoti ia pranon pendimin dhe e fal, ose jo.

Pendohu edhe ti o vëlla dhe oj motër, nëse i keni bërë padrejtësi dikujt! Merr një letër, një stilolaps, shkruaj emrat e të gjithë atyre që u ke bërë padrejtësi dhe kërko falje prej Zotit.

Pasi e ndjeu që Zoti ia fali gabimin, Musai (a.s.) tha: “Musai tha: “O Zoti im! Falë të mirave që më ke dhënë, unë nuk do të bëhem ndihmës i të këqijve!” (Kasas, 17)

Nga kjo ditë, nuk do të jem në krahun e keqbërësve, zullumqarëve dhe shtypësve. Nga kjo ditë, nuk do më shohësh o Zot në atë vend ku shtypen njerëz dhe u mohohen të drejtat më elementare.

Jo përgjithësimit

Zoti thotë në Kuran: “Teksa Musai ecte në mëngjes i frikësuar në qytet, duke pritur se çfarë do të ndodhte, kur ai që të djeshmen e kishte thirrur në ndihmë, e thirri sërish në ndihmë. Musai i tha: “Ti qenke tamam një ngatërrestar i hapur!”

Nga vetë fjalia e parë e ajetit, kuptojmë se Musai (a.s.) nuk u kthye në darkë në pallatin mbretëror. Mesa duket, ai u frikësua nga ajo që kishte bërë, kështu e kaloi natën në lagjen e Benu Israilëve. Duket qartë që marrëdhëniet mes Musait (a.s.) dhe faraonit ishin të acaruara që më parë. Po të mos kishte qenë Asija, faraoni do e kishte dëbuar kohë më parë. Vetë frika e madhe e Musait (a.s.), tregon se i druhej faraonit. Në të kundërt përse duhej të kishte frikë. A nuk ishte ai djali i birësuar i faraonit? A nuk e thërrisnin të gjithë princ Musai?

Ishte hera e parë për princ Musanë që frikësohej. Ai kishte mbushur të tridhjetat dhe gjatë kësaj kohe nuk e dinte çfarë ishte frika. Tani ai duhej ta provonte ndjenjën e frikës, atë ndjenjë, të cilën çifutët kishin me qindra vite që e njihnin.

Ndërkohë që ecte i frikësuar në qytet, Musai (a.s.) sheh të njëjtin çifut, duke u zënë me një egjiptian tjetër. Duket qartë që një person i tillë nuk jeton dot pa probleme dhe zënka. Me ta njohur, Musai (a.s.) i tha: “Ti qenke tamam një ngatërrestar i hapur!”

Ti dëshiron që shtypjen e Benu Israilëve ta luftosh duke u ngatërruar me egjiptianët, por e ke gabim. Shtypja dhe padrejtësitë nuk luftohen në këtë mënyrë.

Një fenomen të tillë e konstaton tek shumë fetarë sot. Ata i gjen në ngatërresa të reja çdo ditë. Me të zbardhur dita, ata e piketojnë prenë e tyre për atë ditë. Ndërkohë që feja fton për mirëkuptim, qetësi, vetëpërmbajtje, dialog dhe paqe. Mos u bëni si personi të cilit profeti Musa (a.s.) i tha: “Ti qenke tamam një ngatërrestar i hapur!”

Në zënkën e parë, Musai (a.s.) ndërhyri pa u menduar shumë dhe e qëlloi egjiptianin, duke e lënë të vdekur. Në këtë rast, ai mendohet para se të ndërhyjë. Zoti thotë në Kuran, duke e përshkruar këtë moment: “Dhe, kur deshi të sulmonte atë që ishte armik i të dyve, ai i tha: ‘O Musa, a do të më vrasësh edhe mua, siç vrave atë tjetrin dje?! Ti dëshiron vetëm që të bëhesh dhunues në tokë e nuk dëshiron të bëhesh nga ata që ndreqin e vendosin drejtësi.’”. (Kasas, 19)

Kur dëgjoi se Musai (a.s.) e etiketoi si ngatërrestar dhe kur e pa që u drejtua drejt tij, çifuti mendoi se Musai do ta qëllonte atë dhe jo egjiptianin. Duke kujtuar atë që kishte ndodhur një ditë më parë, ku ai që po e rrihte kishte mbetur i vdekur nga një grusht i Musait (a.s.), çifuti u frikësua se mos pëson të njëjtin fat. Nga frika, ai i tha:“O Musa, a do të më vrasësh edhe mua, siç vrave atë tjetrin dje?! Ti dëshiron vetëm që të bëhesh dhunues në tokë e nuk dëshiron të bëhesh nga ata që ndreqin e vendosin drejtësi.”

I gjithë pallati mbretëror ziente nga lajmi që ishte përhapur se një ditë më parë ishte vrarë një egjiptian në lagjen e çifutëve. Faraoni kishte dhënë urdhër që vrasësi të gjendej menjëherë. Me fjalët që tha, egjiptiani u tregoi të gjithëve se kush ishte vrasësi.

Nga kjo ndodhi, Musai (a.s.) mësoi një parim shumë të rëndësishëm në komunikimin me të tjerët. Ky parim është: Jo përgjithësimit! Jo të gjithë çifutët janë besimtarë, të ndershëm, të përvuajtur dhe besnikë. Nga mesi i tyre ka edhe njerëz të tillë ngatërrestarë, frikacakë dhe të pabesë.

Nga një ndodhi e tillë duhet të nxjerrim mësim edhe ne në ditët tona. Nuk ka përse t’i përgjithësojmë njerëzit dhe t’i fusim në një kategori të vetme. Vetë Kurani fisnik, teksa përmend kategori të ndryshme dhe negative të çifutëve, në fund thotë: “Te populli i Musait ka pasur disa njerëz që udhëhiqnin dhe zbatonin drejtësinë nën dritën e së vërtetës.” (Araf, 159)

Me të dëgjuar fjalët e çifutit, egjiptiani e lë zënkën dhe niset me vrap për në pallatin e faraonit. Tashmë ai e dinte kush ishte vrasësi dhe për këtë duhej të vinte në dijeni faraonin.

Fjalët “Ti dëshiron vetëm që të bëhesh dhunues në tokë e nuk dëshiron të bëhesh nga ata që ndreqin e vendosin drejtësi”, e lënduan shumë profetin Musa. Si ishte e mundur që akuzohej për diçka të tillë, ndërkohë që donte t’i ofronte ndihmë?!

Ndonjëherë, kur dëshiron t’u ofrosh ndihmë njerëzve, ata sillen padrejtësisht me ty. Kjo na ndodh edhe me njerëzit tanë më të afërt. Ata shpifin për ne, na shajnë, na përgojojnë etj… edhe pse ne duam t’i ndihmojmë dhe t’u gjendemi pranë. Në raste të tilla, mos e humb toruan, por duro dhe tregohu i matur. Duro dhe lute Zotin që Ai të jetë i kënaqur me veprat e tua! Nëse e gjithë bota zemërohet me ty, por ke fituar kënaqësinë e Zotit, mos u shqetëso!

Të vritet Musai!

Ndërkohë, faraoni kishte mbledhur parinë dhe këshilltarët e tij dhe po diskutonin mbi zhvillimet e fundit, se një person që punonte në pallatin e tij, ishte gjetur i vrarë në lagjen e Benu Israilëve. Në një çast, hyn një nga punëtorët e pallatit, i cili u thotë: “Ju po diskutoni mbi vrasjen që ndodhi një ditë më parë dhe unë kam ardhur t’ju tregoj kush është vrasësi. Ai është princ Musai!” dhe u tregoi gjithçka kishte ndodhur.

Në atë moment, faraoni sikur gjeti diçka që kishte tridhjetë vjet që e kishte humbur, sikur iu kujtua diçka që kishte tridhjetë vjet që e kishte harruar. Menjëherë, dikush shtroi pyetjen: Kush është në të vërtetë Musai? Përse është kaq i lidhur me çifutët? Përse i ofroi ndihmë një çifuti dhe vrau një egjiptian? Cila është kombësia e tij e vërtetë?

Të gjithë këto pyetje dhe të tjera që u hodhën për diskutim, bënë që për princ Musanë të hapet një hetim rrënjësor.

Një e nga një, pyetjet filluan të marrin përgjigje, gjë e cila përbënte një shuplakë të rëndë për vetë faraonin. Musai që kishte rritur në pallat, ishte djali i mëndeshës. Dyshimet mbi nënën dhe përkatësinë e vërtetë të princ Musait (a.s.), kishin lindur që me kohë tek disa këshilltarë dhe oborrtarë të faraonit. Kjo, nga vizitat e shpeshta të princ Musait (a.s.) në lagjen e Benu Israilëve.

Faraoni po e shihte të mishëruar ëndrrën që kishte parë më parë. Ai, të cilit i druhej dhe për të cilin kishte vrarë mijëra foshnje të pafajshme, ishte rritur në pallatin e tij dhe ishte pranë realizimit të profecisë. Në një çast, faraoni thotë: “Nëse më ka shpëtuar para tridhjetë viteve, tani besoj se e kam në dorë. Të vritet menjëherë princ Musai!”. Këtë mendim e miratuan edhe oborrtarët e tjerë.

Ky ishte vendimi i faraonit dhe i oborrtarëve të tij, por cili është vendimi dhe caktimi i Zotit? Për Musain (a.s.) ishin marrë edhe vendime të tjera që të vritej, por ishte mbrojtur nga Zoti. Edhe këtë herë, Musai (a.s.) do të ndjejë përkujdesjen hyjnore. Atë që është me Zotin, askush nuk mund ta vrasë, askush nuk mund t’ia pakësojë riskun, askush nuk mund ta privojë nga frymëmarrja.

Abdullah bin Abbasi thotë: “Isha fëmijë dhe një ditë Profeti (a.s.) më tha: ‘O djalosh, unë do të të mësoj disa fjalë. Ruaje Zotin (në zemër) të të mbrojë (nga të këqijat). Ruaje Zotin (në zemër) ta gjesh Atë pranë teje. Nëse kërkon diçka, kërkoje prej Zotit. Nëse kërkon ndihmë, kërkoje prej Zotit. Dije që sikur të gjithë njerëzit të mblidheshin për të të bërë dobi, nuk do e arrinin, veçse nëse e ka caktuar Zoti, dhe nëse do të mblidheshin të të dëmtonin, nuk do e arrinin, veçse nëse e ka caktuar Zoti. Penat janë ngritur dhe fletët janë tharë.’”

Ky hadith i bën thirrje secilit prej nesh që të bëjmë zgjedhjen e duhur dhe të pritur, pa u frikësuar për pasojat dhe riskun.

Mbledhja me oborrtarët përfundoi me vendimin mbi vrasjen e Musait. Ai duhej kërkuar në çdo cep të qytetit dhe të ekzekutohej menjëherë.

Ndërkohë, Musain (a.s.) e kishte mbërthyer paniku nga ajo që mund të ndodhte. Në një çast, ai dallon një person, të cilin e njihte. Zoti thotë në Kuran lidhur me këtë: “Aty erdhi një njeri, duke nxituar prej skajit të qytetit, e tha: “O Musa, paria është mbledhur e po bisedon për të të vrarë, prandaj ik, sepse po ta jap një këshillë të sinqertë.” (Kasas, 20)

Kurani e quan atë “një njeri” dhe nuk e etiketon si besimtar. Ai vinte nga pallati i faraonit dhe ka shumë mundësi që të ketë marrë pjesë në mbledhjen ku ishte vendosur ekzekutimi i Musait (a.s.). Ai ishte oborrtar i faraonit dhe kishte marrë pjesë në mbledhje. Ai e donte Musanë (a.s.), gjë të cilën e vërteton me veprën e tij. Kurani nuk e përmend nëse ishte besimtar apo jo. Ky është tregues që Musai (a.s.) ishte i hapur dhe komunikonte me të gjithë egjiptianët.

Veçanërisht myslimanët, të cilët jetojnë në perëndim, duhet të mos mbyllen dhe izolohen. Perëndimorët duhet t’i shohin myslimanët, duhet të komunikojnë me ta dhe të prezantohen. Flisni me njerëzit, ndihmojini dhe komunikoni me ta sa të keni mundësi. Ndoshta, do të vijë një ditë kur të gjeni përkrahje nga një person që nuk e kujtoni, por që dikur i keni folur dhe keni shkëmbyer disa fjalë, të cilat ai nuk i ka harruar.

Oborrtar i faraonit nxitoi me vrap për tek Musai për t’i dhënë lajmin, para se ta kapnin ushtarët. Nga vetë fjalët, kuptohet qartë se ai e njihte mirë Musanë. Ata të dy jetonin në një pallat. Ai kishte marrë pjesë në mbledhje dhe ndoshta kishte votuar pro vrasjes së Musait, që të mos zbulohej. Por, nga ana tjetër, nxitoi dhe i tregoi Musait gjithçka.

Ka shumë njerëz, të cilët e kanë të pamundur të përballen me aktualitetin, duke i nxjerrë gjoksin para. Por, nga ana tjetër, nuk pajtohen me padrejtësinë dhe shtypjen. Kështu, ata ndërmarrim veprime të tjera, të cilat janë në përputhje me të drejtën dhe të vërtetën.

Zgjedhja e duhur

Kur Musai (a.s.) zgjodhi fisnikërinë dhe përkrahjen ndaj të vobektëve, mundi nuk i shkoi dëm. Edhe pse u zhgënjye nga çifuti, të cilin e ndihmoi, ai nuk u demoralizua, nuk tha “Ja se ç’të gjen kur i ndihmon të varfrit”. Ashtu siç u tregua i fisëm në ndihmën e nevojtarit, Zoti i dërgoi një të fisëm që t’i tregonte planin e faraonit. E mira nuk humbet kurrë.

Musai (a.s.) u largua nga Egjipti. Kështu përfundon edhe etapa e parë e përgatitjes, etapë, e cila filloi me një përqafim plot mall dhe përfundoi me arratisje nga Egjipti. Gjithsesi, të dyja ishin të dobishme për Musanë (a.s.)./ardhmeria/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit