Ahmetaj: Të fokusuar tek përmirësimi i kushteve për sigurinë e punonjësve

Mos i humb

Me rastin e Ditës Botërore të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë, ministri i Financave dhe Ekonomisë i Shqipërisë, Arben Ahmetaj mblodhi Këshillin Kombëtar të Punës, ku u diskutua për sigurinë dhe shëndetin në punë.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin përfaqësues të Qeverisë së Shqipërisë, organizatat e punëmarrësve dhe punëdhënësve, donatorë dhe Organizatës Ndërkombëtare e Punës (ILO).

Në fjalën e tij, ministri Ahmetaj, tha se takimi përkon me Ditën Ndërkombëtare të Shëndetit dhe Sigurisë në Punë, ku sipas tij janë bërë shumë përmirësime.

“Shumë përmirësime janë bërë në këtë drejtim, siç është krijimi i legjislacionit të ri të harmonizuar, ratifikimi i standardeve përkatëse ndërkombëtare, forcimi i inspektimit të punës dhe zhvillimi i fushatave për rritjen e ndërgjegjësimit”, u shpreh Ahmetaj.

Duke folur për sigurinë në punë, Ahmetaj tha: “Në vitin 2017 janë 137 të aksidentuar në punë, nga ku 22 për qind në miniera dhe më pas vijojnë ndërmarrjet e prodhimit dhe sektori i ndërtimit. Numri i inspektimeve në kompani për aksidente në punë është rritur në 115 nga 100 që ka qenë një vit më parë. Shëndeti dhe siguria e punonjësve në punë për ne mbetet një detyrim për çdo kompani private dhe publike. Vëmendja jonë si qeveri dhe ministri do të mbetet e fokusuar tek përmirësimi i kushteve dhe standardeve që garantojnë sigurinë maksimale për punonjësit”.

Sipas tij, raporti i Bankës Botërore thekson se Shqipëria është vendi i parë në rajon që punësimi kalon nivelin e 50 për qind, ndërsa papunësia e të rinjve edhe pse është ende i lartë, është më e ulta në rajon.

Duke folur për uljen e varfërisë, Ahmetaj tha se, sipas të dhënave të Bankës Botërore varfëria në Shqipëri vjen duke u ulur vit pas viti.

“Falë rritjes ekonomike të shndërruar në punësim Shqipëria ka vazhduar vit pas viti uljen e nivelit të varfërisë dhe projeksionet e Bankës Botërore janë për një ulje të vazhdueshme të saj dhe në vitet e ardhshme”, deklaroi Ahmetaj.

Përsa i përket rritjes së pagave, ai nënvizoi se në raportin e Bankës Botërore vihet re një tendencë e rritjes së pagave në sektorin e ndërtimit, energjisë dhe turizmit.

Në përfundim të fjalës së tij, ministri Ahmetaj theksoi se përsa i përket përmirësimit të tregut dhe kushteve të punës, çdo individ dhe kompani ka një rol të rëndësishëm për të luajtur. “Partneriteti mes të gjithë aktorëve të tregut të punës që të bëjmë të mundur që çdo punonjës të jetë i siguruar dhe i sigurtë në punë”./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit