Në kopshtin “Ngjyrat” në Hajvali dhe kopshtin ‘Gëzimi ynë’ në Prishtinë, sot janë përuruar anekset dhe renovimi i tyre, projekte këto të financuara nga Agjencia TIKA, raporton Kosova Post.
Në këto dy përurime morën pjesë Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, Ambasadorja e Ambasadës së Turqisë në Kosovë, Kivilcim Kiliç dhe përfaqësues nga Agjencioni TIKA dhe nga institucionet tjera relevante.
Në fjalën e tij përuruese Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti falënderoj shtetin e Turqisë e në këtë rast edhe agjencionin TIKA të cilët vazhdojnë të ofrojnë përkrahje për Kosovën. Ai ka kujtuar mardhëniet e mira ndërshtetrore Kosovë-Turqi, ndërsa ka shprehur bindje që ky bashkëpunim do të vazhdoj edhe në të ardhmen.
“Ne kemi mardhënie të mira me shtetin turk si Kosovë por edhe si kryqytet. Gjithashtu kemi mardhënie të mira edhe me ambasadën Turke por posaqërisht me TIKË-n, e cila është agjencioni zhvillimor i Qeverisë Turke. Që një kohë kemi bërë disa kërkesa të cilat janë të natyrës sociale, para dy muajve kemi hapur një investim që është bërë në parkun e qytetit ku TIKA ka investuar në lodrat e reja për fëmijë. TIKA ka bërë investime të tjera ku para gjashtë muajve kemi pasur një donacion për fermerët e Prishtinës’, tha Ahmeti.
Poashtu Ahmeti tha se përpos këtyre dy projekteve do të ketë ende projekte të cilat do t’i përfundojnë në bashkëpunim me TIKA-n.
“Sot bëmë përurimin e dy investimeve në dy qerdhe të Prishtinës, në aneksin e qerdhes “Ngjyrat” në Hajvali dhe në qerdhen “Gëzimi Ynë”. Ndërsa në vitin 2018 na mbesin edhe disa projekte të cilat do t’i bëjmë në bashkëpunim me TIKA. Do të bashkëpunojmë për qendrën për Autizëm dhe sindromën Down. Po ashtu shumë shpejt shpresojmë se do të përfundojmë edhe renovimin e njërës prej objekteve më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Xhaminë e Çarshisë. Këto projekte e bëjnë TIKA njërën prej donatorëve kryesore të komunës, ndërsa mua si kryetar me mbetet të falënderoj shtetin Turk, ambasadoren dhe drejtorin e TIKA-s për punën dhe mbështetjen e vazhdueshme që na ka dhënë”, shtoi Ahmeti.
Ndërsa ambasadorja e Ambasadës Turke në Kosovë, Kivilcim Kiliç tha se ndjehet krenare për mbështetjen që TIKA po i ofron Kosovës.
“Dua të shpreh kënaqësinë time që gjendemi sot në mesin e juaj në kopshtin “Ngjyrat” në Hajvali dhe ne jemi shumë krenarë me punën që është duke kryer TIKA dhe me mbështetjen e saj që është duke e ofruar në Kosovë dhe për kosovarët”, tha Kiliç.
Ndryshe, Kiliç shtoi se Turqia do të vazhdoj të ofrojë mbështetje në të gjitha fushat e sidomos në ngritjen e nivelit të punësimit në Kosovë.
“Por siç e theksoj edhe kryetari projektet sociale në fushën e arsimit si dhe projektet e tilla janë shumë të rëndësishme dhe është një përkrahje e madhe për Kosovën dhe do të vazhdoj të bashkëpunoj me gjitha fushat. Jo vetëm në arsim por dhe në fushat e tjera edhe në bujqësi dhe rritjen e kapaciteteve bujqësore dhe ngritjen e punësimit në Kosovë. Me këto projekte do të jemi afër Kosovës që të shohim një Kosovë sa me të ndritshme”, tha Kiliç./Kosova Post/


