Airbnb, kompania që menaxhon dhënien e pronave me qira, njoftoi se do të heqë nga website i saj të gjitha shtëpitë që ndodhen në territoret e pushtuara palestineze të Bregut Perëndimor.
Izraeli reagoi menjëherë dhe e quajti lëvizjen bojkotuese si një “kapitullim të mjerë” ndërsa palestinezët e mbështetën vendimin dhe e konsideruan një hap drejt paqes.
Sipas Airbnb-së, ky vendim që prek rreth 200 prona, do të hyjë në fuqi në ditët në vijim.
Izraeli pushtoi bregun Perëndimor në luftën e vitit 1967. Vendbanimet në territoret e pushtuara konsiderohen të paligjshme nga shumica e fuqive botërore.
Palestinezët i konsiderojnë vendbanimet dhe forcat ushtarake që i mbrojnë ato, si pengesë për krijimin e shtetit të tyre të pavarur.
“Ne arritëm në përfundimin se duhet t’i heqim të gjitha pronat që ndodhen në vendbanimet izraelite në Bregun e pushtuar Perëndimor, që janë në thelb e mosmarrëveshjes mes izraelitëve dhe palestinezëve”, tha kompania në faqen e saj të internetit.
Palestinezët dhe mbështetësit e tyre kishin lobuar gjatë pranë Airbnb-së për të hequr pronat që ndodhen në vendbanimet hebraike.
Izraeli i kundërshtoi fuqishëm thirrjet për bojkot dhe i konsideroi ato qasje të njëanshme ndaj konfliktit./Mesazhi/