
Kina edhe formalisht ka arrestuar akademikun australian me akuzën për spiunazh.
ABC News nga Australia njofton se 54-vjeçari Yang Hengjun u ndalua në janar në aeroportin në Guangzhou kur arriti në qytetin kinez me familjen e tij pasi kishte udhëtuar nga SHBA-të.
Që atëherë, ai ishte nën hetim dhe i akuzuar për spiunazh, raportoi ABC. Nëse akuzat vërtetohen, akademiku australian mund të përballet me dënim me vdekje ose me dënim me burg prej shumë vitesh.
Ministrja e Punëve të Jashtme të Australisë, Marise Payne, tha se Hengjun u arrestua zyrtarisht në Kinë për dyshimin për spiunazh në 23 gusht.
“Dr. Yang është mbajtur në Beijing në kushte të vështira pa akuzë për më shumë se shtatë muaj. Që nga ajo kohë, Kina nuk ka shpjeguar arsyet e ndalimit të Dr. Yang, dhe as nuk i ka lejuar atij qasje në avokatët e tij apo vizita familjare”, tha Payne.
Ministria e Jashtme kineze kishte konfirmuar ndalimin e Yang në janar, duke pretenduar se ai ishte i dyshuar se “ka kryer veprime kriminale që rrezikojnë sigurinë kombëtare të Kinës”.
Yang jetonte në New York me gruan dhe me fëmijën e tij dhe ishte profesor me orarë jo të plotë në Columbia University.


