Rreth 20 persona të aksidentuar në autostradën Shkup-Tetovë janë transportuar deri më tani në spitalin “8 shtatori” në Shkup, njoftoi para pak çastesh televizioni Alsat.
Patrullat policore kanë bllokuar dhe siguruar perimetrin e aksidentit.Zv. ministri i Brendshëm, Agim Nuhiu, si dhe ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, janë duke shkuar në vendin e ngjarjes.
Kalimtarët e rastit dhe qytetarët të cilët gjenden në vendngjarje janë mbledhur grup dhe po mundohen që të rrokullisin autobusin, për të mundësuar tërheqjen e udhëtarëve që kanë ngelur brenda autobusit të nxirren jashtë.
Mjete të rënda janë sjellur në vendngjarje për të mundësuar që të lëvizin autobusin, kujtojmë që autobusi është rrokullisur në kilometrin e shtatë të autostradës Shkup-Tetovë.
Ekipet e ndihmës së shpejtë janë mbledhur në vendngjarje nga ku po ndihmohen nga kalimtarët e rastit dhe banorët përreth, për të nxjerrë nga autobusi udhëtarët të cilët kanë ngelur brenda, dyshohet edhe për të vdekur. Sipas dëshmitarëve thuhet se shkak i aksidentit ishte plasja e gomës me ç’rast autobusi ka përfunduar në korsinë e kundërt të autostradës.