Prokurori i Përgjithshëm, Olsion Çela deklaroi sot se përgjigjen ndaj akuzave të kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta gjatë ditëve të fundit e ka dhënë Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Duke iu përgjigjur interesit të medias pas raportimit për punën e bërë në 2023-shin në KLP, Çela vlerësoi edhe se bashkëpunimi me SPAK ka qenë shumë i mirë dhe se performanca e arritur përmes bashkëpunimit ka qenë në nivele të kënaqshme.
“Po u përgjigjemi sot çështjeve më emergjente. Kemi performancë më të mirë të Prokurorive. Përgjigjen tashmë e ka dhënë KLP. Numri i të dënuarve është më i lartë dhe sistemi po funksionon. Bashkëpunimi ynë me SPAK ka qenë shumë i mirë, performanca që kemi arritur përmes bashkëpunimit ka qenë në nivele të kënaqshme.”
Çela foli edhe për luftën ndaj pastrimit të parave.
“Ju u njohët vjet me lajmin se Shqipëria përfundimisht doli nga lista gri, sa i përket pastrimit të parave. Ky është një lajm pozitiv dhe nuk erdhi rastësisht dhe një pjesë e kontributit erdhi nga sistemi i prokurorisë. Kjo tregon se çështja është trajtuar seriozisht dhe me prioritet dhe ka dhënë rezultatet e para.Kjo është një sfidë që nuk përfundoi me daljen nga lista gri. Kjo është një sfidë permanente”, tha ai.
Sipas Çelës, pasja e prokurorëve të specializuar, vendosja si prioritet, shfrytëzimi i të gjitha kapaciteteve në drejtim të luftës ndaj pastrimit të parave dhe instrumenti më i ri që është “Manuali për pastrimin e parave”, do të jenë pjesët që do të na bëjnë ne të ruajmë efikasitetin për sa i përket përballjes me këtë fenomen.