Akuzohen për “shpërdorim detyre”, pezullohen dy efektivët e rrugores

Mos i humb

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore njoftoi sot se ka pezulluar nga detyra dy punonjës të policisë rrugore. Shkak është një hetim i nisur ndaj tyre për veprën penale të “Shpërdorimit të Detyrës”.

AMP njofton se, pas një hetimi të thelluar në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka ekzekutuar vendimin penal të kësaj Gjykate.

“U vendos masa e sigurisë “Pezullim të ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik” dhe “Ndalim të daljes jashtë shtetit” për A.SH., 50 vjeçe, me detyrë Trupë Shërbimi në Komisariatin e Policisë Rrugore Tiranë, e dyshuar për kryerjen e veprës penale, “Shpërdorim detyre kryer në bashkëpunim”. u vendos masa e sigurisë “Pezullim të ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik” për Z.H., 57 vjeç, me detyrë Trupë Shërbimi në Komisariatin e Policisë Rrugore Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre kryer në bashkëpunim”.”, njofton AMP

AMP bën të ditur po ashtu se, në kuadër të këtij procedimi penal, Gjykata ka vendosur “Hetim në gjendje të lirë” për shtetasen D.G., 32 vjeçe, e dyshuar për kryerjen e veprës penale ”Drejtim automjeti në mënyrë të parregullt”.

Sipas AMP, punonjësit e policisë dyshohet se nuk kanë kryer veprimet e duhura proceduriale në përputhje me Kodin Rrugor, për trajtimin e një aksidenti në aksin rrugor Karreç – Tiranë. “Nga hetimet e kryera rezulton se edhe pse kanë marrë dijeni për ngjarjen, ata kanë fshehur provat e faktet penale për aksidentin, duke mos marrë masa për përcaktimin e fajësisë, për të shmangur shkelësin nga përgjegjësia penale dhe administrative.”, përfundon njoftimi i AMP.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit