Alibeaj: Hap për t’i dhënë Shqipërisë një të djathtë moderne

Mos i humb

Partia Demokratike ngriti sot Këshillin Euroatlantik, një organ këshillimor pranë saj.

Kryetari i komanduar, Enkelejd Alibeaj deklaroi se, kjo është një nismë, që përbën një hap tjetër për të garantuar ecurinë e Partisë Demokratike drejt vlerave dhe parimeve për të cilat ajo u formua dhe mbi të cilat do të vazhdojë rrugëtimin e saj politik edhe në të ardhmen.

“Një nismë e cila do t’i shërbejë Partisë Demokratike në sfidat dhe betejat politike që ajo ka përpara në funksion të një partie më të fortë, më të sigurt dhe më të bindur drejt të ardhmes së saj. Për t’i dhënë Shqipërisë një të djathtë moderne, një forcë politike që ka në themel të saj lirinë, shtetin e së drejtës dhe demokracinë, që ka në themel të saj vlerat perëndimore dhe euroatlantike. Një Parti Demokratike pra, që do të jetë pa dyshim alternative qeverisëse e së nesërmes dhe për të cilën Shqipëria ka kaq shumë nevojë”, theksoi Alibeaj.

Këshilli përbëhet nga, Edmond Trako, deputet i PD në legjislaturën e parë; Eduard Prodani, stundet i Dhjetorit, bashkëthemelues i forumit rinor të PDSH; Fatos Hoxha, ish-deputet i PD 2009-2013; Gjergji Hani ish-i dënuar politik në moshën 16-vjeçare në 1985; Marcel Hila, aktivist i degës së PD, Shkodër që në vitin 1990; Neli Demi, psikiatër, terapist; Nevila Nika, historiane, ish-drejtoreshë e Arkivit të Shtetit; Omer Stringa, profesor i ekonomisë, ish-dekan i Fakultetit Ekonomik; Preç Zogaj, themelues i Partisë Demokratike, drejtor i gazetës së parë opozitare “RD”; Rushdi Keci, profesor, ish-prefekt i Tiranës; Vasil Gjika, ish-deputet i PD-së, ’92-96.

Kryetar i Këshillit Euroatlantik do të jetë Preç Zogaj.

“Ky këshill, do të ketë funksion këshillimor për sa i përket vendimmarrjeve, linjës dhe orientimit politik të Partisë Demokratike. Gjithashtu Këshilli dhe anëtarët e saj do të kenë autorizimin e Partisë Demokratike të shpërndajnë kudo që munden, në media, në forume apo tavolina të ndryshme diskutimesh vlerat e Partisë Demokratike, kauzat e saj politike dhe orientimin e saj properëndimor”, u shpreh Alibeaj.

Sipas tij, përveç vlerave të tyre profesionale dhe personale, përvec kontributit që kanë patur ndër vite për Partinë Demokratike, Këshilli ka dhe një tipar të përbashkët shumë të rëndësishëm për Partinë Demokratike.

“Të gjithë, pa përjashtim, janë të bindur për orientimin properëndimor të Partisë Demokratike. Aleanca me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleanca me Britaninë e Madhe dhe Europën janë kushti thelbësor i vetë ekzistëncës të Partisë Demokratike. Ky është një kusht i panegocueshëm për ne të gjithë dhe Partinë Demokratike. Në momentin kur ne të gjithë kujtonim se kjo aleancë me Perëndimin e Partisë Demokratike ishte e pakthyeshme, ishte pothuajse e shenjtë për ne dhe Shqipërinë, kohët e fundit ka një tendencë për ta zhvlerësuar, për ti ulur rëndësinë dhe për ti thënë shqiptarëve se ne mund të bëjmë dhe pa të. Në krye të kësaj lëvizje qëndron pikërisht ish-kryetari i kësaj partie Sali Berisha, i cili, i shpallur non grata nga SHBA dhe Britania e Madhe, në vend që ta menaxhonte i vetëm këtë konflikt, ashtu sikurse do të ishte mirë për të gjithë, kërkoi që të marrë me vete në këtë rrugë të izolimit ndërkombëtar Partinë Demokratike”, deklaroi Alibeaj.

Ai vuri në dukje se askush që është i shpallur “non grata” nga SHBA dhe Perëndimi nuk ka vend në këtë parti.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit