Ambasada amerikane do të angazhohet në punën e ngritur nga komisioni i posaçëm në Kuvend për mirëqeverisjen dhe antikorrupsionin.
Në një reagim në rrjetin social “X”, ambasada pret që puna e komisionit të jetë transparente dhe në mbrojtje të pavarësisë së institucioneve.
“Si partnerë të palëkundur të përpjekjeve të Shqipërisë për të çuar përpara reformat e nevojshme për anëtarësim në BE, Ambasada e SHBA do të angazhohet me komisionin e posaçëm për mirëqeverisjen, antikorrupsionin dhe sundimin e ligjit. Ne presim që puna e komisionit të jetë përfshirëse dhe transparente, në përputhje me kushtetutën, në mbrojtje të pavarësisë së institucioneve, si dhe të përmirësojë të ardhmen e Shqipërisë”, thuhet në reagimin e ambasadës.
Kuvendi miratoi në 30 maj me 74 vota pro dhe 6 kundër projektvendimin “Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Thellimin e Reformave për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”. Ky komision synon thellimin e luftës kundër korrupsionit dhe forcimin e mëtejshëm i zbatimit të ligjit, duke pasur si udhërrëfyes gjetjet dhe rekomandimet e raporteve të Bashkimit Evropian dhe raportit Screening të Komisionit Evropian për grupkapitullin e parë, si dhe adresimin e masave të udhërrëfyesve të miratuar nga qeveria “Për shtetin e së drejtës” dhe “Reformën në administratën publike””.
Komisioni i Posaçëm ka për objekt hartimin dhe miratimin e një Plani Kombëtar Veprimi, me kohështrirje afatgjatë dhe të qëndrueshme për adresimin e sfidave përkatëse në këto fusha, duke rekomanduar edhe masa konkrete për ndryshime të mundshme ligjore dhe institucionale, të cilat duhet të adresohen në secilën fushë nga institucionet përgjegjëse.