Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dënoi sot aktet e dhunës dhe djegien e karrigeve të Kuvendit në seancën e djeshme parlamentare nga deputetët e opozitës.
Ambasada e SHBA me anë të një deklarate për shtyp thekson se është thellësisht e shqetësuar për shkatërrimin dhe forcën e shpalosur në parlamentin shqiptar të hënën.
“Akte të tilla dëmtuese dhe potencialisht lënduese nuk kanë vend në procesin demokratik”, nënvizon Ambasada.
“Nxisim të gjitha palët e përfshira të ushtrojnë vetëpërmbajtje, të angazhohen në dialog konstruktiv si dhe të përqafojnë vlerat e respektit dhe qytetarisë,” shton më tej Ambasada amerikane.
Ambasada bën të ditur se mbështet diskutimet paqësore dhe bashkëpunuese lidhur me negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
“Mbështesim diskutimet paqësore dhe bashkëpunuese lidhur me negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, si dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë krah institucioneve shqiptare teksa punojnë për ta sjellë Shqipërinë më pranë bashkësisë euroatlantike,” thekson Ambasada e SHBA.