
Me rastin e 30 Gushtit, Ditës së Fitores dhe Forcave të Armatosura të Turqisë, e cila shënon fitoren e Turqisë në betejën e fundit në luftën për pavarësi, Ambasada turke në Prishtinë organizoi pritje zyrtare.
Nën organizimi të ambasadores së Republikës së Turqisë në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç dhe atasheut ushtarak në Ambasadën e Republikës së Turqisë në Prishtinë, nënkoloneli Ruşen Abidinoğlu, sot në Prishtinë u organizua një pritje solemne me rastin e 96-vjetorit të Ditës së Fitores, 30 gushtit, e cila është festë kombëtare e Turqisë dhe shënon fitoren e Turqisë në betejën e fundit në luftën për pavarësi.
Në pritjen solemne morën pjesë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, ministri i Administratës Publike, Mahir Yağcılar, ministri i Zhvillimit Rajonal, Rasim Demiri, ministri për Forcën e Sigurisë, Rrustem Berisha, myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, kryetari i Komunës së Mamushës, Abdulhadi Krasniç, konsullja e Republikës së Turqisë në Prizren, Eylem Altunya, komandanti i KFOR-it Turk në Kosovë, koloneli Cem Sinan Barım, përfaqësues të organizatave dhe institucioneve turke në vend, si dhe të ftuar të tjerë.
Pritja filloi me një minutë heshtje në kujtim të liderit të madh Mustafa Kemal Ataturk, shokët e tij të luftës, dëshmorët të cilët dhanë jetën për kombin, dëshmorët e 15 korrikut, si dhe për dëshmorët e Kosovës, ndërkaq më pas u dëgjua himni i Turqisë dhe ai i Kosovës.
Ambasadorja e Turqisë në Prishtinë, Kılıç fjalimin e saj e nisi me leximin e mesazhit të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, me rastin e 30 Gushtit, Ditës së Fitores dhe Forcave të Armatosura të Turqisë. Pas kësaj ajo u shpreh se 30 gushti është dëshmia se çfarë mund të arrijë një popull për pavarësinë dhe nderin e një shteti.
“Krenaria të cilën na bënë të përjetojmë heronjtë tanë të 30 gushtit forcon vendosshmërinë për ta bërë Republikën tonë të përjetshme dhe për të ngritur në nivelin e qytetërimeve bashkëkohore. Kombi turk duke fituar një fitore të tillë epike 96 vjet më parë, me vendosmëri demonstron se edhe sot nuk do të përkulet para asnjë sfide ekonomike dhe politike që është sjellë përpara”, tha Kılıç.
“Në këtë ditë të veçantë dua të shprehi edhe një herë dëshirën tonë që miqësia në mes popujve të Turqisë dhe Kosovës të barten në të ardhmen duke u forcuar edhe më tej”, shtoi Kılıç.
Kurse kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në një deklaratë për media pas pritjes uroi ditën e fitores së Republikës së Turqisë dhe falenderoi ambasadoren për organizim e kësaj pritjeje, duke u shprehur se kjo ishte një shenjë respekti për marrëdhëniet e mira që ka Kosova me Republikën e Turqisë.
Në pyetjen e gazetarit të AA-së se si e vlerëson të ardhmen e marrëdhënieve Kosovë-Turqi, Haradinaj tha se, “Çdo herë do të jenë të mira sepse të dy popujt kemi interes për marrëdhënie të mira. Besoj se çdo herë do të jenë të mira. Ne tani kemi plot tema para vetes, për shembull në nëntor e kemi votimin për Interpol dhe Turqia prej njohjes ka mbajtur qëndrim pro kërkesave të Kosovës. Jemi të bindur që do ta kemi po ashtu përkrahjen kur votohet për Kosovën në Interpol”./Kosova Post/



