Ambasadori Delawie: Luftojeni korrupsionin dhe depolitizojeni arsimin

Mos i humb

Kryeministri Ramush Haradinaj në takimin e Forumit të Nivelit të Lartë, organizuar nga Ministria e Integrimit Evropian tha se qëllimi i Qeverisë që ai udhëheq është një Kosovë e qëndrueshme, një Kosovë që zhvillohet, e që ka qëllime jo vetëm ekonomike por dhe politike, e që janë integrimi në Bashkimin Evropian e në NATO.

“Qeveria që e udhëheq është e sfidume. Ka plot sfida. Janë të shumta. Përballja me këto sfida është efikase, është e sigurt e garantuar, nëse mbesim ekip së bashku për kohën që vjen. Të gjitha këto investime të çmuara, donacionet e taksapaguesve të vendeve të respektume, të qeverive, jam thellë i bindur që kanë me e dhanë rezultatin përfundimtar, kur Kosova do të jetë partnere e mirëfilltë për vendet, për popujt e juaj dhe do të bëhemi ta quaj ashtu jo vetëm absorbues të përkrahjes por më në fund dhe të jemi partner për regjionin dhe me gjerë. Ajo që mendoj me rëndësi është se Kosova ka me rrit koeficientin e menaxhimit të përgjegjshëm të parasë së publikut. Dhe njëkohësisht ka me rrit koeficientin e menaxhimit të përgjegjshëm të gjitha donacioneve që i menaxhojmë së bashku në Kosovë. Me theks të veçantë, luftimin e korrupsionit, i cili e ka përcjell Kosovën në vazhdimësi. Mirëpo korrupsion, i cili e ka rrit dhe reagimin e qytetarëve dhe reagimin politik dhe reagimin e të gjithëve”, tha ai.

Ndërkaq shefja e zyrës së BE-së në Kosovë Anatalya Apostolova, tha se janë të gatshëm të mbështesin planin për drejtësinë për vitin 2018.

“Fokusi do të mbetet në amendamentet kundër procedurës penale, që kanë të bëjnë me suspendimin dhe shkarkimin e zyrtarëve të cilët janë të ndëshkuar për veprat penale. Miratimi i ligjit kundër konfliktit të interesit. Miratimi i ligjit për prokurorinë shtetërore, për të forcuar zyrën e Prokurorisë speciale. Miratimi i Ligjit për përgjegjësinë e gjykatëseve dhe ndryshimi i ligjit që ka të bëjë me konfiskimin. Sa i përket suspendimit apo shkarkimit të zyrtarëve publik për korrupsion, do tu rekomandoj fuqimisht që këto ndryshime të jenë të miratuara ndaras. Do të kërkoj një përshpejtim më të shpejtë të zbatimit të kësaj, që të veproj kundër zyrtarëve të korruptuar. Kjo është arritja më e madhe e Kosovës”, tha Apostolova.

Apostolova po ashtu ka folur dhe për arsimin në Kosovë, për të cilin tha se duhet fuqizohet MASHT me qëllim të zbatimit të reformave të duhura dhe se fokusi duhet të jenë në cilësi. .

Ndërkaq ambasadori i SHBA në Kosovë Greg Delawie tha se duhet të ndërmerren vendime të rëndësishme për reformën e trupave kundër korrupsionit dhe sektorit të drejtësisë. Ndërsa tha se arsimi duhet të depolitizohet.

“Ka ardhur koha që të kaloj ligji për prokurorinë disiplinor. Ky do të jetë një hap i vazhdueshëm për të siguruar kontrollin e pushtetit, transparencën dhe llogaridhënien në sistemin e drejtësisë së Kosovës. Dhe për të siguruar që të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët, sepse kjo është e domosdoshme për luftimin e korrupsionit dhe për ndërtimin e besimit të opinionit publik në institucionet e drejtësisë dhe institucionet kosovare. Fundja asnjë rritje e zhvillim ekonomik nuk mund të mendohet pa këtë. Tash duhet që të vazhdojmë me punën tonë të njëmendshme që integrimi në veri të bëhet sa më i përshtatshëm dhe funksional. Kjo nënkupton që stafi të ketë trajnimin e duhur, përkthimi i dokumenteve të bëhet siç duhet dhe të kemi një integrim të njëmend në këtë sektor. Po ashtu duhet të kemi dhe projekte të tjera që ka duhet të vazhdojmë reforma në sektorin e edukimit, ashtu që të rinjtë e Kosovës të marrin vendin e duhur në ekonominë e Kosovës. E para duhet të bëhet depolitizimi i rekrutimit të të gjithë përfshirë dhe drejtorëve të arsimit nëpër komuna”, tha Delawie.

Ndërkaq ministri i drejtësisë Abelard Tahiri tha se Qeveria e Kosovës, mbetet e përkushtuar për fuqizimin e sundimit të ligjit.

“Për të fuqizuar sundimin e ligjit si institucione jemi të përkushtuar për të ofruar zgjidhje së paku në tre drejtime. Gatishmërinë dhe vullnetin politik dhe të pakompromis, për ta fuqizuar sundimin e ligjit, përgatitjen e infrastrukturës ligjore dhe të nevojshme që konkretizon këtë prioritet si dhe rritjen e investimeve në sektorin e drejtësisë, në mënyrë që të arrijmë rezultate të prekshme”, tha ai,.

E ministrja e Integrimeve Dhurata Hoxha, e cila prezantoi raportin e donacioneve për vitin 2016 tha se vetëm gjatë vitit 2016, asistenca financiare e donatorëve ka qenë 164 milionë euro. Donatorët kryesor kanë mbetur të pandryshueshëm siç është Bashkimi Evropian, SHBA-ja, Zvicra, Gjermania dhe vendeve tjera. Ndërsa sektorët kryesor të mbështetur gjatë vitit 2016, janë qeverisja dhe shoqëria civile në mbi 57 milionë euro, arsimi me 17.6 milionë euro. Përmirësimi i menaxhimit të ujërave 14 milionë euro. Investimet në përmirësimin e infrastrukturës 10 milionë euro dhe mbështetje bizneseve 9.5 milionë euro.

Në vazhdim të takimit, ministrat gjegjës paraqiten prioritetet në fushën e Sundimit të Ligjit, Edukimin, Shëndetësisë si dhe Ndërmarrësisë e Inovacionit./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit