Amnistia Fiskale, Balla i vendosur: Do ta miratojmë, 2/3 e qytetarëve e mbështesin

Mos i humb

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla u shpreh i vendosur për aplikimin e amnistisë fiskale.

Në një deklaratë për mediet, Balla tha se qeveria do ta miratojë amnistinë fiskale, duke theksuar amnistia mbështetet nga dy të tretat e shqiptarëve.

“Në vlerësimin tonë na rezulton se më shumë se dy të tretat e qytetarëve e mbështesin një nisëm të tillë, kjo nga këshillimi kombëtar. Amnistia fiskale është domosdoshmëri që Shqipëria të kalojë në një fazë tjetër. Ne duam ti japim mundësinë duke përjashtuar çdo të ardhur nga aktivitete kriminale dhe korruptive dhe personat e ekspozuar politikisht. Këtë e ka bëtë pjesa më e madhe vendeve të Bashkimit Evropian. Në do ta miratojmë amnistinë fiskale. Çdo deputet i parlamentit të Shqipërisë duhet të kuptojë se kjo është një gjë e mirë për të ardhmen e vendit”, tha Balla.

Kujtojmë se aleatët perëndimorë janë shprehur të rezervuar në lidhje me amnistisë fiskale në Shqipëri. Më 29 shtator Delegacioni i Bashkimit Evropian ripërsëriti se “BE-ja ka shqetësime serioze për projektin aktual të ligjit për amnisti fiskale” të propozuar nga qeveria. “

Ne do të vazhdojmë konsultimet me autoritetet përkatëse të qeverisë për të rishikuar këtë legjislacion”, nënvizoi Delegacioni në një reagim për mediat, duke lënë të nënkuptohet qartë, se në formën që është, propozimi për ta është i papranueshëm.

Për herë të parë, Bashkimi Evropian u shpreh publikisht lidhur me amnistinë në fund të qershorit, gjatë mbledhjes në Bruksel të Nënkomitetit për Tregtinë, Industrinë, Doganat dhe Tatimet ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë. Ndërsa u shpreh që në atë kohë me të njëjtat terma për “shqetësime serioze”, deklarata e mbledhjes vinte në dukje se nisma “do të dobësonte kontrollet e Shqipërisë kundër pastrimit të parave, ndërkohë që do të bënte pak për të rritur aftësinë e administratës tatimore për të përmirësuar pajtueshmërinë e ardhshme lidhur me kërkesat tatimore.

Për më tepër, për shkak se rezidentët jotatimorë, përfshirë shqiptarët që jetojnë në BE ose në Ballkanin Perëndimor, përfshihen në objektin e tij dhe u kërkohet të importojnë para në dorë për të përfituar nga amnistia, drafti aktual i ligjit ngre shqetësime serioze për shtetet anëtare të BE-së dhe partnerët e tjerë, si dhe një rrezik thelbësor reputacioni për vendin”.

Por kryeministri Rama ka këmbëngulur, siç bëri dhe një ditë më parë, se “bëhet fjalë për para të kursyer nga puna në të zezë, jo nga punët e zeza. Për punët e zeza ligji është shumë i qartë dhe i ka shumë të qarta dhe kategoritë që nuk janë të pranuara që të përfshihen në amnisti”.

Projektligji parashikon deklarimin vullnetar të një pasurie në vlerë monetare deri në 2 milionë euro, e cila legalizohet kundrejt një takse nga 7-10 përqind, pa asnjë përgjegjësi penale. Deri më tani asnjë nga autoritetet nuk ka dhënë shpjegim se sim und të vihet një pasuri deri në 2 milion euro me kursime nga puna. Një llogari fare e thjeshtë, dëshmon se që të arrihet një kuotë e tillë, në 30 vjet, do duhej një e ardhur mujore prej mesatarisht 5.500 euro, e cila e gjitha do të duhej të ishte kursyer.

Pikëpyetje të forta janë ngritur dhe mbi aftësinë e institucioneve për të parandaluar që nga kjo nismë të mund të përfitojnë anëtarë të rrjeteve kriminale, pavarësisht kufizimeve të përcaktuara.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit