
Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, e cila në mbarë botën ngjalli entuziazëm me mbështetjen dhe solidaritetin e saj me muslimanët pas sulmeve të fundit terroriste në dy xhamitë në Christchurch, tha se ajo nuk e priste që vendosja e shamisë do të shkaktojë kaq ndjenjë të sigurisë në mesin e muslimanëve.
Ardern ishte mysafire në programin “The Protect” që emetohet nga televizioni australian Ten Network dhe më këtë rast iu parashtrua pyetja lidhur me mbajtjen e shamisë gjatë vizitës së komunitetit musliman në Christchurch.
“Nuk kam menduar shumë rreth kësaj. Thjesht konsiderova se kjo ishte gjëja e duhur”, shpjegon Ardern.
Ajo shtoi se është e vetëdijshme se vendosja e shamisë ka ngjallur siguri tek komuniteti musliman, që në ato momente ishte tronditur nga sulmet terroriste.
“Nuk kam pritur që mbajtja e shamisë do t’u japë njerëzve një ndjenjë të tillë të sigurisë”, tha Ardern.
Ajo gjithashtu theksoi nevojën për solidaritet që kanë muslimanët e Zelandës së Re.
“Përgjegjësia ime është të mundësojë njerëzve të ndjehen të sigurt. Prekesh thellë kur njerëzit nuk ndihen të sigurt. Pra, është përgjegjësia ime që përsëri të rivendos këtë ndjenjë të sigurisë”, shpjegoi Ardern.
Të paktën 50 muslimanë u vranë në dy sulme terroriste gjatë namazit të xhumasë në xhamitë Noor dhe Linwood në Christchurch.
Kryeministrja Ardern menjëherë sulmin e karakterizoi si akt terrorist dhe dërgoi një mesazh të fortë solidarizimi me muslimanët e Zelandës së Re. Menjëherë pas kësaj, ajo vizitoi komunitetin musliman në atë qytet.
Ardern ishte gjithashtu e pranishme gjatë faljes së namazit të xhumasë në Parkun Hagley në Christchurch shtatë ditë më vonë.
Në një fjalim të shkurtër para namazit të xhumasë, Ardern citoi hadithet e Profetit Muhamed a.s. në të cilën porositi se të gjithë besimtarët janë si një trup.
“Profeti Muhammed ka thënë:” Besimtarët tregojnë respektin për njëri-tjetrin, mëshirë dhe simpati, dhe ata janë si një trup. Nëse një pjesë e trupit sëmuret, atëherë edhe pjesët e tjera i përshkon dhimbja”. Zelanda e Re është me ju. Në pikëllim, ne jemi një”, tha Ardern.


