ARRSH: Jugu “heq qafe” zinxhirët. Në veri e qendër, disa akse me ngrica

Mos i humb

Për shkak të temperaturave të ulëta dhe pranisë së ngricave në rrugë, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka ripërsëritur edhe paraditen e kësaj të mërkure thirrjen për kujdes gjatë lëvizjes, sigurisht me shpejtësi të reduktuar dhe duke respektuar sinjalistikën por edhe udhëzimet e Policisë Rrugore, sikurse të përdorin zinxhirët në akset ku është domosdoshmëri.

ARRSH-ja thotë se të gjithë kontraktorët për mirëmbajtjen e rrugëve kanë qenë në gatishmëri dhe prej orëve të para të mëngjesit kanë bërë shpërndarjen e kripës nëpër akset e bllokuara apo atje ku ka prani ngricash. Por, si paraqitet situata në akset kryesore të vendit deri më tani?

Sa i përket rajonit verior, pozitive është që nuk ka pasur reshje të tjera gjatë natës. Por, për shkak të temperaturave të ulëta, ngricat në rrugë janë të paevitueshme dhe kudo ku ka pasur të tilla është shpërndarë kripë. Segmentet Domaj-Draj Reç, Ura e Cerenecit-Stebleve, Kuben-Vasije, Peshkopi-Qafë-Drajë, Peshkopi-Ushtelencë, Qafë Bualli-Krastë, Trebisht-Doganë vijojnë të jenë të kalueshme me zinxhirë, ose pjesërisht me zinxhirë, ndërkohë që qarkullimi në akset e tjera bëhet normalisht.

Edhe në rajonin qendror nuk ka pasur reshje gjatë natës, duke sjellë përmirësim të situatës në rrugët e Dajtit. Kudo që ka pasur ngrica në rrugë është bërë shpërndarja e kripës. Në aksin nga Trau i Dajtit-Teleferik-Vilat Qeveritare ARRSH rekomandon përdorimin e zinxhirëve; pjesërisht në Qafë Priskë-Shëngjergj, sikurse edhe në aksin Krujë-Sarisalltik. Zinxhirët rekomandohen në Qafë Priskë-Qafë Mollë, Qafë Mollë-Shëngjergj dhe Lunik-Steblevë. Në akset e tjera, qarkullimi vijohet normalisht.

Temperatura të ulëta, por aspak reshje. Kështu kaloi nata edhe për rajonin jugor, por kalimi në akset e qarqeve Korçë, Gjirokastër dhe Vlorë bëhet normalisht, pa zinxhirë./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit