
Vetëm ashpërsimi i kodit penal, një premtim i kryeministrit Rama, nuk do mund ta ndalë dhunën ndaj mjekëve. I këtij mendimi është doktor Ibrahim Bruka, mjek në klinikën kirurgjikale në QSUT.
Mbështetur në eksperiencën e gjatë të punës në spital, mjeku arrin në konkluzionin se problemet janë shumë fish më të thella nga sa kërkon t’i paraqesë qeveria që sipas tij është kujtuar shumë vonë për rregullimin e bazës ligjore në mbrojtje të bluzave të bardha.
“Në parim e përshëndes vendimin që ka marrë kryeministri në lidhje me mjekët. Është shumë vonë, por nuk besoj se kjo e zgjidh çështjen e mjekësisë shqiptare. Nuk është burgu që zgjidh gjithçka, mjekësia shqiptare ka shumë halle. Halli i parë është se nuk paguhen mjekët, nuk paguhet personeli mjekësor. Janë shumë të vështira kushtet e punës. Ka shumë mungesa. Është shkelur shumë herë kodi i punës, mjekët nuk marrin shpërblim rrogën e 13-të asnjëherë. Nuk paguhen aq sa duhet, sa paguhen dhe komshinjtë në Maqedoni dhe Kosovë dhe kështu që me mini pagesë, me kushte mizerabël, kjo pjell edhe këto ndodhitë që dhunohen mjekët që janë misionarë të shërbimit ndaj qytetarëve shqiptarë”, thotë mjeku Bruka.
I të njëjtit mendim është edhe doktor Genti Stroni një prej mjekëve të dhunuar gjatë ushtrimit të detyrës. Mjeku argumenton nevojën e një analize të thellë të shkaqeve që çojnë drejt dhunimit të bluzave të bardha.
Sipas Stronit me rënien e diktaturës ka ndodhur një diferencimin në kahun negativ në vlerësimin e punës së mjekut që deri para viteve 90 paguhej njësoj si juristi në sistemin e drejtësisë.


