
Në mbarë Azerbajxhanin sot shënohet 29 vjetori i masakrës që njihet si “Janari i Përgjakshëm” dhe është shndërruar në simbol të pavarësisë.
Azerbajxhanasit, për të përkujtuar personat që humbën jetën në masakrën në vitin 1990, vërshuan në Varrezën e Dëshmorëve në Baku. Qytetarët nga Baku dhe qytetet e tjera vendosën lule dhe bënë lutje për dëshmorët.
Në ceremoni mori pjesë edhe presidenti Ilham Aliyev, i cili vendosi kurorë lulesh në monumentin që gjendet në Varrezën e Dëshmorëve.
– “Pikë kthese e rëndësishme në historinë e pavarësisë”
Ambasadori i Turqisë në Baku, Erkan Özoral, bashkë me punonjësit e ambasadës dhe përfaqësues të institucioneve tuke në vend vizituan varrezën.
Në një prononcim për gazetarët, Özoral tha se 20 janari është pikë kthese e rëndësishme në historinë e Azerbajxhanit, ndërsa në të njëjtën kohë edhe një ditë e zezë në historinë botërore.
Ai tha se më 20 janar 1990 është kryer një masakër e madhe në Baku. “Përkujtomë me respekt dhe mirënjohje të gjithë heronjtë të cilët kanë sakrifikuar jetën për Azerbajxhanin”, u shpreh ai.
– “Janari i Përgjakshëm”
Në fillim të vitit 1990, mijëra azerbajxhanas u mblodhën në sheshin “Azadlık” në Baku në shenjë proteste kundër qeverisë sovjetike dhe rritjes së kërkesave të armenëve për territor.
Në ndërhyrjen e ushtrisë sovjetike me qëllim të ndalimit të protestës në Baku më 20 janar, u masakruan 150 civilë, përfshirë gra dhe fëmijë.
Shumë azerbajxhanas këtyre ditëve vendosin lule në varret e të vrarëve. Varreza në Baku u bë simbol i pavarësisë së Azerbajxhanit, e cila u shpall më 30 gusht të vitit 1990.


