Balla: Integrimi europian i Shqipërisë po avancon me ritme të larta

Mos i humb

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka qenë sot i pranishëm në aktivitetin e organizuar me rastin e 20-vjetorit të Eurorajonit Adriatiko-Jonian në Tiranë ku ka vlerësuar rolin e bashkëpunimit rajonal si një instrument të rëndësishëm për integrimin europian dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendeve të rajonit.

Në fjalën e tij, Balla theksoi se Shqipëria ndodhet më pranë se kurrë anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke nënvizuar progresin e shpejtë të vendit në procesin e negociatave.

“Shqipëria po avancon me ritmin më të paprecedent në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Kemi përmbyllur hapjen e kapitujve të negociatave dhe kemi nisur procesin e mbylljes së tyre, me objektivin ambicioz për të përfunduar negociatat brenda vitit 2027”, u shpreh Balla.

Ai vuri në dukje se Shqipëria vlerësohet sot si një nga vendet më të avancuara në procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian, së bashku me Malin e Zi, ndërsa gëzon mbështetje të gjerë në institucionet europiane për rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit.

Balla nënvizoi gjithashtu se Shqipëria mbetet vendi i vetëm në rajon që ka harmonizuar plotësisht politikën e saj të jashtme me atë të Bashkimit Europian, duke u konsideruar një faktor i rëndësishëm për stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal.

Duke u ndalur te roli i Eurorajonit Adriatiko-Jonian, kreu i grupit parlamentar të mazhorancës e cilësoi këtë organizëm si një model të suksesshëm bashkëpunimi ndërkufitar, që ka kontribuar për dy dekada në forcimin e dialogut, partneritetit dhe zhvillimit mes vendeve të rajonit.

Sipas tij, rajoni Adriatiko-Jonian ka potencial të madh në fusha si turizmi, infrastruktura, ekonomia blu, energjia, arsimi dhe inovacioni, ndërsa sfida e përbashkët mbetet shndërrimi i këtij potenciali në mundësi konkrete për qytetarët.

Në fjalën e tij Balla ka theksuar gjithashtu rëndësinë e investimit tek të rinjtë dhe edukimi, duke theksuar se integrimi europian nuk është vetëm një proces institucional, por një proces bashkëpunimi mes komuniteteve, rajoneve dhe qytetarëve.

Balla shprehu mirënjohje për drejtuesit dhe partnerët e Eurorajonit Adriatiko-Jonian për kontributin e tyre ndër vite, si dhe ritheksoi angazhimin e Kuvendit të Shqipërisë për të mbështetur çdo iniciativë që forcon bashkëpunimin rajonal dhe afron vendin me familjen europiane.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit