Balla nga Lushnja: Arsimi profesional prioritet

Mos i humb

Në kuadër të Javës Europiane të aftësive profesionale, ministri i Brendshëm, Taulant Balla dhe ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi zhvilluan një takim në mjediset e Shkollës së Mesme Profesionale “Hasan Dervish Gina” në Lushnjë.

Balla në fjalën e tij tha se kjo qeveri e ka pasur, e ka dhe do të vazhdojë ta ketë arsimin profesional si një prej objektivave dhe vëmendjeve të saj më të shtuar.

“Arsyeja shumë e thjeshtë, sepse në vitin 2013 kur shqiptarët na besuan përgjegjësinë e madhe të qeverisjes, e gjetëm arsimin profesional në një ditë të vështirë. Kemi shkruar një histori të re lidhur me arsimin profesional por e pranojmë që ende nuk jemi aty ku duam dhe Shqipëria ka nevojë të jemi në qasjen tonë ndaj arsimit profesional shtuar këtu faktin që Shqipëria çdo ditë e më shumë ka nevojë për profesionistë në shumë sektorë”, u shpreh ai.

“Kemi përmbyllur një sezon turistik, do ta quaja unë, me rezultate historike, për sa i përket numrit të turistëve të huaj vizituan Shqipërinë dhe kemi parë se për t’i dalë ballë sfidës së vitit të ardhshëm, na duhen më shumë profesionistë në shumë sektorë.  Por shkolla ku jemi sot ka një fokus tejet të veçantë, fokusi është dhe lidhet kryesisht me faktin që Lushnja, apo Myzeqeja është hambar i prodhimit bujqësor shqiptar dhe prandaj duhet t’ia rikthejmë, jo vetëm kësaj shkolle profesionale, por Lushnjës dhe Fierit gjithashtu, fokusin e veçantë tek përgatitja, aftësimi profesional në sektorin e bujqësisë dhe atë të blegtorisë”, vijoi Balla.

Prandaj, sipas tij, “është shumë e nevojshme të kemi edhe pjesën që lidhet me mekanikën bujqësore”.

Balla shtoi se shkollës i duhet dhënë tërësisht një pamje e re, jo vetëm në aspektin e infrastrukturës, por edhe në aspektin e përqasjes që kjo shkollë duhet të ketë ndaj nevojave që ka realisht Lushnja dhe Myzeqeja, duke zgjeruar edhe degët apo numrin e profesioneve.

Balla nënvizoi edhe disa nga pikat kryesore të Paketës së Sigurisë në Shkolla dhe bëri të ditur se tashmë janë depozituar në Ministrinë e Drejtësisë, disa ndryshime në Kodin Penal, në lidhje me disa vepra që kanë të bëjnë me sigurinë e nxënësve në shkolla.

Balla theksoi në fjalën e tij se, “prindërit tuaj na e kanë besuar ne përgjegjësinë e madhe, na e kanë dhënë ne detyrën që të kujdesemi për ju që nga momenti që niseni nga shtëpia e deri në momentin që riktheheni në shtëpi”.

Ministri kërkoi nga të rinjtë të mbajnë distancë nga çdo fenomen kriminal, por posaçërisht të rrinë sa më larg përdorimit të lëndëve narkotike e të mos bien pre e rrjeteve kriminale të shpërndarjes.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit