Ministri i Brendshëm, Taulant Balla u shpreh sot përmes një postimi në rrjetet sociale se gjurmimi dhe sekuestrimi i pasurive dhe vlerave monetare që rrjedhin nga veprimtaria kriminale janë prioriteti kryesor i qeverisë. Sipas Ballës, kjo iniciativë do të materializohet së shpejti përmes një nisme konkrete ligjore, e cila është në përputhje me standardet më të mira të Bashkimit Evropian.
Balla bëri të ditur se, në kuadër të kësaj nisme, do të ngrihet Zyra e Rikuperimit të Aseteve, e cila do të ketë për detyrë gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive të përfituara nga aktivitetet e paligjshme.
“Gjurmimi dhe sekuestrimi i pasurive dhe vlerave monetare që rrjedhin nga veprimtaria kriminale janë prioriteti ynë, i cili së shpejti materializohet me një nismë konkrete ligjore në përputhje me standardet më të mira të Bashkimit Evropian: Ngritja e Zyrës së Rikuperimit të Aseteve”, shkruan Balla
Balla gjithashtu përgëzoi Policinë e Shtetit në Durrës, Tiranë, Krujë, Vlorë dhe Policinë Kufitare Durrës për sukseset e arritura në vendosjen para drejtësisë të 18 shtetasve dhe sekuestrimin e pasurive dhe shumave monetare të përfituara nga aktivitete të paligjshme. Ai theksoi se në të gjithë vendin vijojnë goditjet e njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale, përfshirë kultivimin e bimëve narkotike dhe armëmbajtjes pa leje, zbardhjen e vjedhjes së pronës dhe ndalimin e shtetasve në kërkim nga drejtësia.