Balla – opozitës: Falë drejtësisë keni mundësinë për të larguar komunizmin brenda partisë

Mos i humb

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, tha sot në Kuvend, se opozita sot, falë edhe drejtësisë ka mundësinë më të mirë për të larguar komunizmin nga brenda partisë.

Në fjalën e mbajtur në seancën e sotme, ku po mbahet raporti vjetor i veprimtarisë së Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri për vitin 2023, Balla, duke replikuar me deputetin e Partisë Demokratike Tomorr Alizoti, tha se një pjesë e opozitës sot në krye të saj ka personin që ka përfituar më shumë se askush tjetër nga komunizmi.

“Kuvendi i Shqipërisë ka një rregullore të miratuar me konsensus të plotë. Kërkesa për minutën e heshtjes është kërkesa më solemne që ka kjo sallë. Të nisësh fjalën, që s’ka deputetë në sallë, pra të konstatosh mungesën e seriozitetit dhe ta mbyllësh fjalën me kërkesë për të kërkuar 1 minutë heshtje është tallja më e madhe që mund t’i bësh atyre për të cilët kjo sallë këtu duhet të jetë plot me 140 vetë, të çuar të gjithë në këmbë, me himnin e flamurit dhe për t’i mbajtur minutën e heshtjes, ta bëjmë të plotë 60 sekonda”, tha Balla, duke iu përgjigjur Alizotit.

“Mund të them me qindra herë fjalën në këtë sallë këtu për të dënuar sa herë të kemi mundësi krimet e komunizmit. Ato dënohen kur të paktën distancohemi nga ata që ia kanë parë hajrin komunizmit. Ky që sapo foli është modeli më i keq i atyre, që familjarët e atyre që kanë vuajtur komunizmin në kurriz, ky shkon ditë për ditë poshtë ballkonit të sekretarit të partisë, që ia ka parë hajrin komunizmit më shumë se të gjithë ne këtu. Nuk ke këtu asnjëri prej nesh, që babai të ishte në varkën personale të Enver Hoxhës. Pas 33 vitesh, ju keni mundësi të artë, që s’e bëtë dot, por po ua bën drejtësia, të largoni komunistin nga kreu i partisë dhe komunizmin nga brenda partisë”, përfundoi Balla.

Deputeti i PD, Tomorr Alizoti në fjalën e tij tha se minutazhi i rezervuar ndaj një personi që ka vuajtur krimet e komunizmit mbi supe nuk ishte i drejtë. “Kam parë babanë tim në burg kur isha 3-vjeç”, tha Alizoti. “S’mund të flas 5 minuta për 5000 krime të komunizmit”, tha ai, teksa kërkoi dhe 1 minutë heshtje për viktimat e sistemit diktatorial.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit