Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë bëri të ditur sot se gjatë këtij viti janë dorëzuar 44.5 km rrugë të reja, që janë autostrada të kategorisë A.
Në konferencën e zhvilluar në përmbylljen e sezonit turistik veror, Balluku theksoi se këtë vit u hap rruga Thumanë-Kashar për përdorimin e të gjithë drejtuesve të automjeteve.
“Nga mbrëmja e 28 qershorit deri në 30 shtator, në aksin Thumanë-Kashar kanë kaluar 2 milionë e 700 mijë automjete, shifër rekord edhe për autostradat e tjera të rajonit”, tha ajo.
Ndërkohë Balluku theksoi se nga tuneli i Llogorasë i cili u hap në 5 korrik, kanë kaluar deri në 30 shtator 715 198 automjete.
“Këto shifra janë përgjigjja e vetme për të gjithë ata që vazhdojnë baltosin një vend që po lulëzon në rang botëror për sa i përket industrisë së turizmit dhe që ka vëmendjen e plotë të të gjitha medieve ndërkombëtare”, tha Balluku.
Po ashtu, Balluku theksoi se janë bërë të disponueshme një sërë aksesh turistike si ai Palasë-Dhërmi apo Orikum-Dukat.
“Do të vazhdojmë edhe me lidhjen e Orikum-Dukat me tunelin e Llogorasë, apo vazhdimi i rrugës së Jugut, që e kemi premtuar”, tha ajo.
Balluku theksoi po ashtu se ka ende shumë punë përpara si hapja e garës ndërkombëtare për një tjetër segment të Korridorit Blu, atë Milot-Balldren, një segment shumë i pritur nga gjithë pjesa e veriut të vendit.