Balluku: Fluturimet nga aeroporti i Vlorës në pranverën e 2025-ës

Mos i humb

Zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, deklaroi sot se projektligji “Për ofruesin e shërbimeve të lundrimit ajror “Albcontrol””, i përgjigjet zhvillimeve që po shënon industria aeroportuale në vendin tonë.

Duke marrë fjalën në seancën plenare të Kuvendit, Balluku tha se, “modernizimi i aviacionit i ka tejkaluar parashikimet. Në 5 vitet e fundit duke nisur nga viti 2029 nisëm dizenjimin e një strategjie të mirëfilltë për zhvillimin e Aviacionit Civil, duke krijuar një mundësi të re të zhvillimit të vendit dhe Shqipëria do të ketë 4 aeroporte”.

“Kemi deklaruar në atë kohë se Shqipëria do të ketë 4 porta hyrëse nga ajri dhe ne po punojmë duke nisur me aeroportin e Tiranës, me rinegocimin e kontratës koncesionare që sot operon plotësisht në kushtet të tjera. Investimet e ndërmarra e kanë shtuar sipërfaqen e akomodimit të pasagjerëve në 40 mijë m2, nga 13 mijë m2 që ka pasur ky aeroport deri në 2020. Ne e kemi trefishuar kapacitetin e tij për të akomoduar të gjithë fluksin e pasagjerëve. Investimet shkojnë edhe në pistën e këtij aeroportit të Tiranës. Nga 2.8 km sot po e rrisim pistën e aeroportit në 3.2 km, që të akomodojmë edhe fluturimet transoqeanike duke e kthyer aeroportin e Tiranës në një aeroport të kategorisë 4E. Kemi shtuar në 9 numrin e vendqëndrimeve të avionëve”, deklaroi Balluku.

Balluku vuri në dukje se ndërkohë aeroporti i Kukësit është funksional.

Zv/kryeministrja deklaroi se, në fund të dhjetorit 2024 përfundojnë punimet për ndërtimin e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës dhe më pas do të vijohet me proceduarën e licencimit të tij, me synimin që në pranverën e vitit 2025, të kemi ulje-ngritjet e para.

“Aeroporti ndërkombëtar i Vlorës, parashikohet të jetë aeroporti më i madh në rajon jo vetëm për pasagjerët dhe mallrat, por edhe të industrisë për mirëmbajtjen e avionëve”, tha Balluku.

Balluku bëri të ditur se, brenda muajit maj, hapet gara ndërkombëtare për ndërtimin e aeroportit të katërt në jug të vendit, pikërisht në Gjirokastër.

“Të gjitha këto zhvillime kërkojnë një rakordim edhe me bazën ligjore dhe të aktorëve të tjerë të sektorit, siç është rasti i navigimit ajror. Kemi kërkuar ndryshime ligjore për “Albcontrol” me qëllim që t’i përgjigjet zhvillimeve që po shënon ky sektor sot në Shqipëri”, deklaroi Balluku.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit