“Banjska” shkakton debate në Këshillin e Sigurimit të OKB-së

Mos i humb

Ngjarja e 24 Shtatorit në Banjskë mori vëmendjen më të madhe në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ku u diskutua raporti për Kosovën i sekretarit të Përgjithshëm, Antonio Guterres.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani akuzoi drejtpërdrejt Beogradin për ngjarjen dhe tha se Serbia dëshiron të marrë territore të Kosovës por nuk do i dalë kurrë.

“Ne duam paqe dhe Serbia e dëshmoi më 24 shtator se do luftë. Por, ne nuk do ta lejojmë të ndodhë kjo. Konfirmoj se jemi të përkushtuar që të bëjmë më shumë për serbët në Kosovë.

Por, ne nuk do t’i japim Serbisë instrumente përmes së cilave ata mund të shkatërrojnë jetën e serbëve që jetojnë në Kosovë dhe të vazhdojnë të tentojnë të shkatërrojnë sovranitetin dhe integritetin tonë territorial”, tha Osmani.

Në krahun tjetër kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç mohoi që Serbia të ketë qenë e përfshirë në sulmin ndaj Policisë në Banjskë të Zveçanit.

“Beogradi ose forcat e sigurisë, strukturat e sigurisë nuk kanë qenë të përfshirë në këtë ngjarje dhe jemi të gatshëm të ofrojmë dëshmitë te komuniteti ndërkombëtar për të vërtetuar këtë. Ngjarjet në Banjskë janë pasojë logjike e terrorit që Prishtina ka zbatuar ndaj serbëve”, tha Bërnabiç.

Ambasadori i Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha tha së për ngjarjen duhet të ketë një hetim të plotë dhe se është e papranueshme që agresorët u nderuan si heronj.

“Glorifikimi i kriminelëve, mohimi i gjenocidit dhe përpjekjet për të rishikuar historinë janë të gabuara dhe të papranueshme. Ato minojnë parimet e drejtësisë, etikës dhe moralit dhe kanë efekte të dëmshme në shoqërinë e vendeve në fjalë teksa përballen me përpjekjet për pajtim”, tha Hoxha.

Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara në OKB, Robert Wood, tha se personat e përfshirë në sulm duhet të vihen para përgjegjësisë ndërsa përfaqësuesja e UNMIK-ut tha se ngjarja e Banjskës ka përkeqësuar situatën e sigurisë në Kosovë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit