Banka Botërore prezanton raportin për vendet e Ballkanit Perëndimor

Mos i humb

Shkup/Tiranë/Prishtinë

Banka Botërore sot ka prezantuar raportin e rregullt gjashtëmujor ekonomik për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sipas raportit parashihet që rritja e mëtutjeshme e ekonomive të Ballkanit Perëndimor në periudhën 2019-2020 të jetë me një normë mes 3.5 dhe 3.7 për qind ndërkohë që Bosnjë e Hercegovina, Kosova dhe Maqedonia e Veriut pritet të kenë një rritje mbi mesataren rajonale.

– “Maqedonia e Veriut me rritje ekonomike mbi mesataren rajonale”

Rritja ekonomike e Maqedonisë së Veriut në vitin 2018 është rikthyer në nivelin prej 2.7 për qind, kryesisht nga shkaku i konsumit dhe eksporteve neto, ndërsa investimet filluan të rimëkëmben, thuhet në raportin e rregullt gjashtëmujor të Bankës Botërore për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Shefja e ekipit që menaxhon zyrat e BB-së në Ballkanin Perëndimor, Galina Vincetet, theksoi se Raporti i Rregullt Ekonomik (RIE) mbulon zhvillimin ekonomik, perspektivat dhe politikat ekonomike në rajonin e Ballkanit Perëndimor, më saktësisht në shtetet si Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia.

“Parashihet që rritja e mëtutjeshme e ekonomive të Ballkanit Perëndimor në periudhën 2019-2020 të jetë me një normë mes 3.5 dhe 3.7 për qind ndërkohë që Bosnjë e Hercegovina, Kosova dhe Maqedonia e Veriut pritet të kenë një rritje mbi mesataren rajonale. Megjithatë këto gjasa stabile, mund të pësojnë nga rreziqe të caktuara, të cilët janë të brendshme dhe të jashtme”, tha ajo, për të shtuar se nevojiten më shumë vende në Ballkan pasi papunësia është ende e lartë.

Në raport nënvizohet se Maqedonia e Veriut me zgjidhjen e mosmarrëveshjes disa dekadashe me Greqinë për çështjen e emrit, hapi mundësitë për përparim në lëmin e reformave dhe me një shtejtësi po i afrohet BE-së dhe integrimit në tregjet botërore.

“Rritja në Maqedoninë e Veriut vitin e kaluar ishte 2.7 për qind, që ishte një rikuperim nga stagnimi në vitin 2017, me një rritje që është rezultat i kryesisht konsumit dhe eksportit. Ështrë vërejtur një rikuperim edhe tek investimet, ndërkohë që papunësia vazhdoi të bie në nivelet më të ulëta rekorde”, tha Bojan Shimbov, ekonomist në Zyrën e Bankës Botërore në Shkup.

Borxhi publik i Maqedonisë së Veriut në vitin 2018 ka shënuar një rritje krahasuar me vitin paraprak dhe arriti në 49 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB), thuhet në raportin e BB-së.

Ndonëse huamarrja po rritet ndërkohë që në shumicën e vendeve të rajonit po zvogëlohet, ekonomistët nga ky institucion financiar ndërkombëtar thanë se nuk janë të shqetësuar pasi i njëjti është në nivel të matur duke shtuar se borxhi publik këtë vit do të arrijë mbi 51 për qind të PBB-së.

– “Shqipëria është e ekspozuar ndaj një ngadalësimi ekonomik në Evropë”

Ritmet e rritjes ekonomike në Shqipëri sipas raportit u përshpejtuan duke arritur në 4.2 për qind në vitin 2018. Vlerësohet se kjo rritje ka nxitur krijimin e vendeve të punës në të gjithë sektorët dhe me rritjen e numrit të shqiptarëve që marrin pjesë në forcën e punës.

Në raport theksohet se në Shqipëri ritmi i rritjes ekonomike parashikohet të ngadalësohet në 3.7 për qind deri në vitin 2020, pasi sipas Bankës Botërore, dinamizmi ekonomik gradualisht po ngushton hendekun e prodhimit.

Ndërkohë, sektorët që do të udhëheqin rritjen ekonomike në Shqipëri pritet të jenë shërbimet dhe ndërtimi.

Në raport thuhet se Shqipëria është e ekspozuar ndaj një ngadalësimi ekonomik në Evropë, veçanërisht në parterët kryesorë tregtarë fqinjë.

Maryam Salim, përfaqësuesja e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri tha në aktivitet se ky raport nënvizon nevojën për të rritur më shumë ritmin e reformave për mundësi më të mëdha ekonomike, ndërsa sipas saj vendet e Ballkanit Perëndimor përballen me sfida të ngjashme, përfshirë edhe vështirësitë e krijimit të numrit më të madh të vendeve të punës në sektorin privat.

Ajo tha se zhvillmi ekonomik në Ballkanin Perëndimor ka vazhduar të zgjerohet, ndërsa shtoi se vendet e rajonit e kanë mundësinë t’i çojnë përpara reformat në sektorin ekonomik.

– “Kosova me rritjen ekonomike më të madhe në rajon”

Sipas këtij raporti, Kosova ka shënuar rënie në krijimin e vendeve të reja të punës, përkundër asaj që po prodhon vazhdimisht kuadro të reja për tregun e punës.

Drejtori i zyrës së Bankës Botërore në Kosovë, Marco Mantovanelli, tha se rruga përpara e ekonomisë së vendit është stabile, megjithëse ka disa paqëndrueshmëri.

Ndër to, Mantovanelli përmendi çështjen e Brexit-it, tensionet globale tregtare mes SHBA-së dhe Kinës si mundësi reflektimi edhe në Ballkan si dhe në aspektin e brendshëm ekonomik tha se problemi vjen nga çështjet fiskale.

“Kosova ka nevojë të krijojë më shumë vende të reja të punës dhe më të mira që t’i absorbojë të gjithë këta njerëz, si dhe një numër të madh të atyre që tash e një kohë janë të papunë. Nga ana e rrezikut po shohim shpenzimet publike që po shkojnë kah rrogat dhe pastaj përfitimet e disa kategorive, si veteranët e luftës dhe të tjerë”, tha Mantovanelli.

Raporti rekomandon që efikasiteti i shpenzimeve të rritet në arsim, shëndetësi dhe mbrojtje sociale. Sipas raportit, punëtorja/i mesatar në Ballkanin Perëndimor humb 20-30 vjet të jetës në papunësi apo jo-aktivitet.

Ekonomistja nga Banka Botërore Aslı Şenkal, tha se konsumi është rritur si shkak i ngritjes së pagave, të hyrave nga diaspora dhe kreditë e larta. Ndërkaq, siç tregoi ajo, eksporti është tkurrur.

“Derisa rritja ekonomike ka qenë e fuqishme në vitin 2018, kjo jo domosdoshmërisht është përkthyer në krijimin më të madh të vendeve të punës. Ka pasur humbje të vendeve të punës në 2018. Ka pasur më shumë se 7 mijë vende pune të humbura në vitin 2018 në krahasim me vitin 2017. Numri i të punësuarve është zvogëluar në fabrika, në bujqësi derisa është rritur në sektorët e shitjes me shumicë dhe pakicë”, u shpreh Şenkal.

Raporti i Bankës Botërore rekomandon që të bëhet një përshpejtim i reformave në Kosovë. Ndër to, mbarëvajtja e rezervave fiskale për të ruajtur stabilitetin makro-fiskal në funksion të rritjes më të lartë potenciale dhe uljes më të shpejtë të varfërisë. Ndërsa, nga reformat strukturore, sipas raportit, duhet të përshpejtohet reforma në sektorin social e investimit në kapitalin njerëzor. Të përmirësohet kapaciteti i institucioneve publike për të mundësuar konkurrencë të drejtë në treg dhe të përmirësohet qeverisja korporative e sundimi i ligjit.Rritja e pagave dhe pensioneve në sektorin publik ka qenë një faktor kryesor i rritjes ekonomike në Serbi, Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë, ndërkohë që në raport theksohet se investimet private dhe publike kanë nxitur rritjen në Kosovë, Mal të Zi dhe Serbi. Rritja e eksporteve në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut ka ndihmuar në rritjen e tyre ekonomike, ndërsa në raport vlerësohet se investimet e huaja të drejtpërdrejta kanë vijuar të kenë ritme të ngadalta.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit