Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar një bashkëbisedim me ish-sekretaren e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Hillary Clinton.
Me ftesë të Hillary Rodham Clinton, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po zhvillon një vizitë pune në Bullgari, si e ftuar speciale në ngjarjen e organizuar nga Clinton Global Initiative.
Clinton Global Initiative është themeluar në vitin 2005 nga ish-presidenti i SHBA-së, Bill Clinton dhe ka për qëllim bashkimin e forcave të liderëve botërorë për ofrimin e zgjidhjeve konkrete për sfida globale.
Në takimin e zhvilluar është folur mbi ekonomitë e zhvilluara dhe gra të fuqizuara dhe sipas Osmanit, parakusht për këto janë liria, paqja dhe demokracia.
Në një postim në rrjetin social facebook, Osmani tha se e ka falënderuar ish-sekretaren dhe ish-presidentin Bill Clinton dhe popullin amerikan që e kanë ndihmuar Kosovën që t’i gëzojë këto të drejta dhe gjithashtu që vazhdojnë ta ndihmojnë Kosovën dhe që zëri i Kosovës të dëgjohet në botë.
Presidentja Osmani do të marrë pjesë po ashtu në tryezën ekzekutive që organizohet në kuadër të këtij organizimi, përkrah të ftuarve të shumtë nga bota e politikës, biznesit, filantropisë dhe shoqërisë civile.
Në kuadër të vizitës njëditore, presidentja Osmani pritet të takohet edhe me homologun bullgar Rumen Radev.


