Bankieri turk kërkon vendim “të drejtë” nga gjykatësi amerikan

Mos i humb

Avokatët e ish-bankierit turk Mehmet Hakan Atilla, i shpallur fajtor për shkelje të sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) kundër Iranit, i kërkuan gjykatësit në New York një dënim “të drejtë dhe të mëshirshëm”.
Avokatët e Atilla, ish-zëvendësdrejtor i Halkbank, i kanë dërguar një letër prej 75 faqesh gjykatës të hënën, në të cilën ata kanë kërkuar që gjyqtari Richard Berman të japë një vendim “të drejtë dhe të mëshirshëm”.

Avokatët thanë se kishin llogaritur se, sipas udhëzimeve federale, Atilla duhet të marrë një dënim prej 46 deri në 57 muaj (4-5 vjet). Ata shtuan se dënimi duhet të jetë edhe më i ulët.

Për t’i mbështetur konkluzionet e tyre, ata thanë se dëshmitë kanë treguar se Atilla në të vërtetë është përdorur nga biznesmeni Riza Sarraf, i përshkruar si “arkitekti i këtij komploti”.

Riza Sarraf, i cili u arrestua në SHBA në mars të vitit 2016, i akuzuar për shkelje të sanksioneve të SHBA-së kundër Iranit, kishte pranuar fajin në këtë lëndë në tetorin e kaluar dhe kishte bashkëpunuar me prokurorët. Ai dëshmoi kundër Atilla.

Në letër, avokatët e quajtën këtë rast “unik”, duke thënë se Atilla, i cili nuk ka lidhje me SHBA-në, ishte në gjykatë gjersa bankat ndërkombëtare që shkelin sanksionet kundër Iranit kanë marrë vetëm gjoba. Ata shtuan se bankierët e tjerë të huaj nuk ishin dënuar.

Avokatët gjithashtu kanë përfshirë seksione nga letrat e dërguara në gjykatë nga familja, miqtë, të afërmit dhe kolegët e Atilla, të cilët e quajnë bankierin 47-vjeçar “person të dashur, të respektuar, të përulur, të ndershëm dhe punëtor”.

Prokurorët ende nuk e kanë paraqitur kërkesën e tyre për dënim.

Më 15 dhjetor të vitit 2017, avokatët e Atilla kërkuan hedhjen poshtë të të gjitha akuzave, duke theksuar se provat janë të pamjaftueshme. Ata theksuan se zyra e prokurorisë nuk ishte në gjendje të dëshmonte se Atilla kishte lidhje me krimin e kryer nga Sarraf.

Më 3 janar, Atilla u gjet fajtor nga njeë trup gjykues në pesë akuza lidhur me komplot dhe mashtrime bankare, por u lirua nga akuza për larje parash.

Më 7 shkurt, një gjykatës i New York-ut refuzoi kërkesën e Atilla-s për ta liruar atë nga të gjitha akuzat për shkak të mungesës së provave, duke thënë se kishte “prova të mjaftueshme” që mbështesin akuzat.

Pritet që dënimi të shpallet në seancën e ardhshme të caktuar për më 11 prill.

Atilla ishte i vetmi i pandehur në këtë rast.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit